Emery mbron vendimin për mosinkuadrimin e Ozil ndaj Bournemouthit, vendimi u mor për nevojat e lojës

E publikuar: 26/11/2018 02:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Unai Emery e ka mbrojtur vendimin e tij për ta lënë Mesut Ozilin në bankën rezervë në ndeshjen kundër Bournemouthit.

Mesfushori, i cili ka startuar në dhjetë ndeshje këtë sezon, ishte njëri prej rezervistëve në skuadrën e trajnerit të Topçinjve, i cili vendosi të luante me formacionin 3-4-3.

Mesut Ozil (Foto: Dan Mullan/Getty Images/Guliver)

Taktika e tij rezultoi e suksesshme, pasi Arsenali fitoi me rezultat 2-1, me autogolin e Jefferson Lerma dhe golin e Pierre-Emerick Aubameyang, derisa për Bournemouthin shënoi Joshua King.

Emery i shfrytëzoi të tria zëvendësimet, duke inkuadruar në lojë treshen Matteo Guendouzi, Aaron Ramsey dhe Eddie Nketiah, ndërkohë që Ozil mbeti në bankën rezervë.

“Menduam se si mund të ishim më të mirë në ndeshjen e sotme (e diel), në një përballje shumë kërkuese në aspektin fizik, me intensitetin e tyre ndaj nesh dhe e morëm këtë vendim”.

Mesut Ozil (Foto: Clive Rose/Getty Images/Guliver)

“Mirëpo, secili lojtar është i rëndësishëm. Po ashtu, sot provuam me tre qendërmbrojtës. Është një tjetër mundësi për t’u përmirësuar dhe për ta gjetur paraqitjen tonë më të mirë”, ka thënë trajneri.

Ozil madje as nuk doli për t’u nxehur në pjesën e dytë dhe Emery vendosi të shfrytëzonte të tjera opsione.

Kur është pyetur se a e dinte mesfushori se nuk do të inkuadrohej në lojë, trajneri ka thënë: “Varet nga rrjedha e lojës dhe si është rezultati gjatë 90 minutave. Unë vendosa për një tjetër opsion”. /Telegrafi/