Emër befasues nga Vetëvendosja për kryetar të Mitrovicës

E publikuar: 19/08/2017 23:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 22 tetorit do të kandidoj shoumenin Fehmi Ferati për kryetar të Mitrovicës, duke tentuar kështu të marrë pushtetin komunal në këtë qytet.

Në një prononcim për Veriu.info këtë e ka konfirmuar vet Ferati, duke treguar se ai është anëtarësuar sot Vetëvendosje, por që deri te zyrtarizimi i kandidaturës kanë mbetur të zhvillohen edhe disa procedura brenda këtij subjekti politik.

“Pas insistimit dhe propozimit të Kryesisë në Prishtinë dhe pajtimit të qendrës në Mitrovicës, kemi arritur te pajtimi dhe pranimi i kandidaturës time. Do të ketë votim të anëtarësisë, por fakti që jam veç një kandidat duhet me kalu”, ka thënë Ferati

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë kishte arritur një marrëveshje në fund të muajit mars me AKR-në që në këto zgjedhje të garojnë me një kandidat të përbashkët, mirëpo si duket ajo është prishur nga VV-ja, pasi që me daljen si subjekti i parë në Mitrovicë në zgjedhjet nacionale të qershorit, atëherë i kanë rritur ambiciet politike.

“Parimisht jemi pajtuar që në zgjedhjet e ardhshme lokale, të garojmë me një kandidat të përbashkët për kryetar. Deri te kjo marrëveshje ka ardhur falë besueshmërisë që kemi krijuar edhe gjatë kohës sa kemi qenë në opozitë, por edhe tash gjatë bashkëqeverisjes në ekzekutiv, ku kemi pas dakordancë të plotë në të gjitha çështjet kryesore”, ka thënë për Veriu.info, Faruk Mujka më 30 mars, i cili është nënkryetar i komunës dhe kryetar i qendrës së VV-së në Mitrovicë, shkruan Veriu.info.

Kujtojmë se VV-ja është në koalicion me AKR-në në Mitrovicë që nga fillimi i muajit dhjetor, ku Sekretari Organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj e kishte vlerësuar shumë kryetarin Bahtiri, por që pas dorëheqjes së tij nga kjo pozitë, atëherë edhe gjërat kanë filluar të lëvizur në drejtim të kundërt rreth bashkëpunimit VV-AKR. “Besojmë se është i vetmi person në institucionet e Republikës së Kosovës që ka pasur qëndrim të drejtë, të dinjitetshëm dhe të fuqishëm. Besojmë se sfidat të cilat po e presin Mitrovicën janë jashtëzakonisht të mëdha dhe besojmë se secili prej nesh që e donë Mitrovicën dhe Kosovën, duhet të jenë pranë atyre personave, atyre subjekteve, institucioneve të cilat e mbrojnë Kosovën” kishte deklaruar Molliqaj më 9 dhjetor 2016.

Portali Veriu.info më 27 korrik kishte raportuar se VV mund ta kandidoj Fehmi Feratin për kryetar të Mitrovicës (VV mund ta kandidoj Fehmi Feratin për kryetar të Mitrovicës, dhëndrri i tij në pozitë të palakmueshme)