Elon Musk: SpaceX dhe Tesla gjallë falë një mrekullie

E publikuar: 13/03/2018 21:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Elon Musk thotë se kompanitë e tij SpaceX dhe Tesla janë ende të gjallë vetëm nga një mrekulli . Sipërmarrësi i tha audiencës në konferencën e  “South West” (SXSW) se të dyja kompanitë pothuajse falimentuan në 2008.

“I dhashë edhe SpaceX dhe Tesla një probabilitet prej më pak se 10% që kishin  gjasa për sukses”, tha ai gjatë një sesioni P & A. “Në fillim të vitit 2002, unë nuk mund  të lejoja që miqtë e mi të investonin pasi nuk doja të humbnin paratë e tyre”.

Musk tha se ai fitoi 180 milionë dollarë kur PayPal u ble nga eBay më 2002 dhe fillimisht vendosi 90 milionë dollarë në SpaceX dhe Tesla, por shpenzimet vazhdonin të rriteshin. Ai tha se viti 2008 ishte një vit tepër i vështirë – raketa Falcon 1 e SpaceX dështoi për herë të tretë dhe Tesla gati falimentoi dy ditë përpara Krishtlindjeve.

Në këtë pikë, ai kishte vetëm rreth 40 milionë dollarë. “Unë mund t’i vendosja të gjitha në një kompani, dhe kompania tjetër do të falimentonte pa dyshim, ose nëse do ta ndaja atë në SpaceX dhe Tesla, atëherë të dyja mund të merrnin fund”, tha ai.

“Dhe kur e vendos gjithë energjinë tënde  në ndërtimin e diçkaje, është si fëmija yt , kështu që unë nuk mund të zgjidhja. I hodha paratë tek të dyja, dhe falënderoj  zotin që të dyja kompanitë ia dolën.” “SpaceX është gjallë nga një mrekulli, dhe po kështu edhe Tesla – nëse gjërat do të  kishin shkuar  ndryshe, të dyja kompanitë do të ishin të falimentuara”, tha ai.

Z. Musk tha se duhej të ishte ai  inxhinier kryesor për Falcon 1 sepse ai nuk mund të merrte ndonjë kandidat tjetër të përshtatshëm për t’u bashkuar me kompaninë, dhe ai nuk donte të rrezikonte sipërmarrjen e tij me  inxhinierë që ai mendonte se nuk ishin të standardit të duhur.

Edhe pse tani mund të përballojë të punësojë sa më shumë inxhinierë të talentuar, ai ende vazhdon të shpenzojë 80-90% të kohës së tij duke punuar në inxhinieri dhe dizajn në të dyja kompanitë, SpaceX dhe Tesla, duke lënë drejtues të tjerë për të menaxhuar anën e biznesit të kompanisë. Megjithatë, ai tha se me kalimin e kohës,  ndjeu se Tesla e kishte shkaktuar atë “dramë”  më shumë sesa SpaceX.

Mundësitë në Mars

Kur u pyet se përse ai vendosi të hynte  në industrinë e hapësirës dhe makinat elektrike, ai shpjegoi se kishte qenë i interesuar për të dyja lëndët kur ishte në universitet. Ai gjithashtu tha se nuk kishte ndjerë përparim të mjaftueshëm gjatë viteve të fundit në udhëtimin në hapësirë.

“Pyeta veten pse nuk po bëjmë përparim me marrjen e njerëzve në hënë, dhe ku janë të gjitha hotelet hapësinore që u premtuan në vitin 2001?” tha ai. “Gjeneza e SpaceX nuk ishte të krijonte një kompani, por si mund të veprojmë që buxheti i  NASA-s të jetë më i madh?” Musk mbetet i bindur se jeta në Mars është e mundur dhe e domosdoshme.

Ai ka frikë nga një “epokë e errët” ku mund të ndodhë një Luftë e Tretë Botërore dhe mendon se Marsi do të jetë pjesë  e së ardhmes për të ndihmuar mbarëvajtjen dhe rigjenerimin e racës njerëzore. Ai gjithashtu ndjen se ka mundësi të shumta biznesi atje. /PCWorld Albanian