“Elbasan Arena” kyçet për Tirana-Vllaznia

E publikuar: 26/10/2016 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas mbylljes së stadiumit “Selman Stërmasi” për mbjelljen e barit, që detyroi edhe spostimin e supersfidës Partizani-Skënderbeu në Elbasan Arena, tashmë Tirana po vuan të gjejë një impiant për duelin klasik të së hënës ndaj Vllaznisë.

Për faktin se të dielën do të luhet dueli ndërmjet dy pretendentëve për titull, Partizanit dhe Skënderbeut, “Elbasan Arena” mbylli dyert për bardheblutë. Drejtuesit e stadiumit njoftuan klubin e Tiranës se ndeshja me Vllazninë është e pamundur të luhet vetëm 24 orë më pas.

Kjo jo vetëm që do të bënte që përballja të luhej në kushte aspak të mira të terrenit, por praktikisht do ta shkatërronte fushën, e cila nuk mund ta përballojë një ngarkesë të tillë në harkun e një kohe kaq të shkurtër.

Në situatën e krijuar, Tirana është vënë në kërkim të një stadiumi për të luajtur. Federata Shqiptare e Futbollit i ka propozuar stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, për faktin se ky është një impiant i licensuar për Kategorinë Superiore dhe në fundjavë Apolonia vendase luan jashtë fushe.

Alternativa të tjera do të ishin stadiumet e Durrësit, Lushnjes dhe Peqinit, por edhe këtu bardheblutë do të përballeshin me refuzime, pasi ekipet e këtyre qyteteve do ti zhvillojnë ndeshjet e kampionatit në fushën e tyre. Ndërkohë që ka rënë alternativa për të luajtur në Kavaja, me stadiumin që nuk është i licensuar për të pritur ndeshjet elitare.

Tirana ende nuk e ka miratuar propozimin për të luajtur në Fier dhe shpreson të gjejë një alternativë me të afërt, që nuk do ti penalizonte tifozët. Me problemin e mirëmbajtjes së fushave, sfida klasike e futbollit shqiptar mbetet në ajër./ss/