El Shaarawy pranon vazhdimin e kontratës me Romën

E publikuar: 23/11/2018 14:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E ardhmja e sulmuesit italian Stephan El Shaarawy duket se do të jetë në Romë.

Edhe pse u flit se lojtari mund të largohet pas interesimit të Fiorentinës dhe Olympique Marseille, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Sipas La Gazzetta dello Sport, krerët e Romës kanë pasur një takim të suksesshëm me lojtarin dhe agjentin e tij.

Kontrata aktuale e El Shaarawyt me Romën skadon në verën e vitit 2020, por që do të zgjatet edhe për dy vite të tjera.

Në kontratën e re do të ketë edhe një rritje page për lojtarin nga dy në 2,4 milionë euro në stinor, por me bonuse mund të arrijë në tre milionë euro.

Stephan El Shaarawy duke iu gëzuar golit të shënuar kundër Napolit. (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

26-vjeçari është kthyer në formën e tij më të mirë këtë edicion, duke shënuar gola dhe duke asistuar.

Në 10 takime në Serie A, El Shaarawy ka shënuar pesë gola me fanellën e Romës ndërsa ka asistuar në dy të tjerë.

Reprezentuesi italian iu bashkua Romës tri vite më parë nga Milani për 16 milionë euro. /Telegrafi/