Ekzekutohet vrasësi i nënkomisarit të FNSH-së pas 12 orësh rrethim (Foto)

E publikuar: 04/10/2015 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij.

Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë, korrespondenti i Top Channel nga Shkodra, Ardi Hoti flet për një natë të gjatë e tepër të vështirë të forcave RENEA, të cilët fillimisht tentuan negociatat me agresorin për ta bindur të dorëzohej, duke shfrytëzuar në këtë mes edhe familjarët e tij, por ai nuk ka pranuar, madje është përgjigjur me armë zjarri ndaj efektivëve. RENEA, nga ana e saj është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe tymuese, por edhe me armë zjarri. Gjithsesi, për shkak të errësirës, RENEA ka pritur orët e mëngjesit për të ndërhyrë në banesën e tij. Edhe në orët e para të mëngjesit ka pasur shkëmbim zjarri mes palëve, por agresori në këtë rast ka mbetur i vdekur.

Në operacionin policor për neutralizimin e vrasësit të Gjetës në Shkodër u angazhuan 250 forca policore, 15 automjete ndër të cilat 5 të blinduara, qen gjurmues, mburoja kolektive antiplumb dhe kamera me fibër optike. Në krye të operacionit ishin krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm Haki Çako, si dhe të tjerë si Ardian Çipa, Altin Qato e Niko Brahimaj. I pranishëm ishte gjithashtu edhe drejtori i Krimeve të Rënda, Arben Dashi.

Gjithçka ka nisur nga një konflikt banal mes dy komshinjve, Ruzhdi Arishta dhe Besmir Sherbela, vetëm për një gardh. I pari qëlloi ndaj fqinjit të tij duke e lënë të plagosur e nga këtu kanë marrë informacion edhe forcat e policisë së Komisariatit Shkodër, të cilët kanë shkuar në vendngjarje për të arrestuar agresorin, i cili duket se ka pasur edhe çrregullime mendore dhe ka qenë problematik për komunitetin ku jetonte. Për këtë shkak u kërkua edhe ndihma e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët rrethojnë banesën e Arishtës, ndërsa komandanti i tyre është futur menjëherë në portën e banesës, duke marrë edhe 3 plumbat e qëlluar prej vrasësit.

/ Top Channel

Ekzekutohet vrasësi i nënkomisarit të FNSH-së pas 12 orësh rrethim