Ekspertët: Maqedonia e Veriut ta ruajë stabilitetin politik

E publikuar: 08/09/2019 15:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Maqedonia e Veriut si shtet duhet të tregohet e kujdesshme me veprimet e saj për të ruajtur stabilitetin e brendshëm politik, që të mund t’u bëj ballë goditjeve eventuale që mund të marrë nga grupe të caktuara, në këtë periudhë të para-anëtarësimit të vendit në NATO, theksojnë ekspertët për çështje të sigurisë.

Këto komente vijnë pasi presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski pas takimit të Këshillit të Sigurisë ka theksuar se “gjatë 40-50 ditëve të ardhshme, Maqedonia e Veriut si shtet hyn në një periudhë që mund të jetë turbulente edhe nga aspekti politik edhe nga ai i sigurisë, për shkak se vendi pret ratifikimin e anëtarësimit në NATO dhe në mesin e muajit të ardhshëm pritet dhe caktimi i datës për fillim të negociatave me BE-në”.

“Në bazë të përvojës sigurisht se nuk na pret një periudhë e qetë, megjithatë sipas analizave nga qendrat analitike botërore mund të konstatojmë se Rusia si shtet nuk do të ndërmarrë ndonjë ofensivë politike për të penguar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në aleancën veri-atlantike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov.

Ndërkaq, Mersel Billalli, analist politik, thotë se stabiliteti i brendshëm është vendimtar për sigurinë e përgjithshme të Maqedonisë së Veriut në këtë situatë delikate në të cilën ndodhet shteti para anëtarësimit në NATO dhe pritjes për të marrë datën për fillimin e bisedimeve, megjithatë ai i quan të tepruara vlerësimet e presidentit të shtetit se vendin e pret një periudhë turbulente.

“Të gjitha ato forca që janë anti-NATO dhe anti-perëndimore, prezente këtu në shtet edhe përmes forcave politike nuk kanë fuqi ose do të thosha se tanimë e kanë hargjuar fuqinë e tyre që të ndërmarrin ndonjë aktivitet apo aksion i cili do ta humbiste orientimin e Maqedonisë së Veriut drejt strukturave euroatlantike. Unë mendoj se janë paksa të tepruara këto deklarata të presidentit të shtetit”, thotë Billalli.

Ndërkaq, ish ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, duke komentuar qëndrimin e presidentit të Shtetit Stevo Pendarovski se gjatë periudhës së ardhshme duhet t’i kushtohet kujdes edhe dialogut Prishtinë-Beograd, pasi Maqedonisë së Veriut mund t’i kanosen rreziqet edhe nga rifillimi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se ideja për Shqipërinë e madhe është e kamotshme, por në këtë situatë, proceset nuk do të kenë implikim edhe ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Kjo është një tezë më e thjeshtë që shumë kohë po plasohet, por nëse ndodhë kjo, që qëndrojnë në atë proces rreth ndarjes së Kosovës, gjegjësisht bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën, ndërsa Mitrovica me Serbinë, gjithsesi me gjithë rreziqet e mundshme, vlerësimi im personal është se nuk do të ketë implikime negative ndaj zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut”, thotë Trajanov.

Ndërkaq, Mersel Billalli, njohës i çështjeve politike, konsideron se Maqedonia e Veriut si shtet me anëtarësimin e saj në NATO mbyll çdo mundësi për tu kapluar nga implikimi i ndryshimit eventual të kufijve në mes shteteve të rajonit, përkatësisht Kosovës dhe Serbisë.

“Pozicioni i Maqedonisë së Veriut që i kundërvihet mundësisë së këmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, pra si marrëveshje mes këtyre dy shteteve, akoma rezonohet si mundësi e hapjes së kutisë së Pandorës, mendoj se kjo çështje është e tejkaluar.

“Çdo marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë mendoj se do të jetë marrëveshje mes dy shteteve dhe atë vullnet e ka çdo shtet për të mbyllur çështjet e hapura”, thotë Billalli.

Ndryshe, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri ka theksuar se gjatë periudhës së ardhshme duhet t’i kushtohet kujdes edhe dialogut Prishtinë-Beograd, pasi vendit të tij mund t’i kanosen rreziqet edhe nga rifillimi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nga faktorët ndërkombëtar më me ndikim vijnë disa gjysmë-informata se së shpejti mund të rigjallërohen negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se në Kosovë së shpejti do të ketë zgjedhje, po ashtu në pranverë edhe në Serbi do të ketë zgjedhje. Por, kjo çështje vetvetiu ka një potencial të madh të ndikon në mënyrë pozitive ose negative në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne kufizohemi me të dy shtetet në Veriun tonë dhe patjetër të jemi të gatshëm për të gjitha mundësitë që eventualisht mund të ndodhin në suaza të negociatave”, ka theksuar presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.