Eksperiment social: Maskohet dhe shtiret si i pastrehë, i riu nga Kroacia befasohet për të mirë me reagimet e qytetarëve (Video)

E publikuar: 06/03/2018 03:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tomislav Maxheriq nga Siska e Kroacisë dhe e dashura e tij Tea, kanë realizuar një eksperiment social për të parë se si do të reagojnë qytetarët kur shohin një të pastrehë në rrugë, shkruan index.hr.

“Kemi dashur të bindemi nëse qytetarët tanë kanë zemër të mirë”, ka deklaruar Tomislav, autori i videos së publikuar më poshtë, transmeton Telegrafi.

Ai ishte maskuar dhe grimuar si i pastrehë, dhe kështu në rrugët e mbuluara me borë në temperaturat nën zero u kërkonte qytetarëve që t’i dhurojnë një përqafim.

Por dyshja kanë pranuar se janë befasuar për të mirë me reagimet e qytetarëve, të cilët përpos që u ofronin të holla, ata nuk hezitonin që ta përqafojnë të riun nga Kroacia.

“Kemi mbetur pa koment. Të gjithë na kanë ofruar para. Një zonjë madje ka dashur të më sjell ushqim dhe rroba, kurse të gjithë më kanë përqafuar pavarësisht se ishte me rroba të papastra. Jam befasuar për të mirë”, ka shtuar Maxheriq. /Telegrafi/