Ekskluzive: Zvicra e donte me çdo kusht por Kryeziu zgjodhi vendlindjen: Jam i lumtur, mezi po pres të luaj për Kosovën

E publikuar: 22/10/2018 22:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mirlind Kryeziu është futbollisti më i ri që i ka thënë ‘Po’ Përfaqësueses së Kosovës.

Qendërmbrojtësi i talentuar i Zurichut, ka qenë kapiten i grupmoshave të Zvicrës, nga U16 deri në U21.

Edhe pse zviceranët tentuan me çdo kusht ta ndalnin për ta veshur fanellën e Përfaqësueses A, Kryeziu një gjë të tillë nuk e bëri pasi pranoi thirrjen e Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, mbrojtësi nga Mleçani i Malishevës flet për prapaskenat dhe zgjedhjen e Kosovës.

Ai fillimisht ka falënderuar Zvicrën për edukimin dhe mundësinë të luaj futboll profesionist.

“Kam luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës ku më kanë besuar edhe shiritin e kapitenit në grupmoshat dhe jam krenar për këtë. Dua ta falënderojë këtë shtet për gjithçka që më ka dhënë”.

Kryeziu sa ishte pjesë e grupmoshave të Zvicrës

“Nuk ka qenë vendim i lehtë, por që e pata marrë më herët dhe për këtë e kam njoftuar me kohë Federatën e Futbollit të Zvicrës”.

“Kemi dalë në takim, kanë ardhur për të më lutur që mos të largohem nga Zvicra, por ju kam thënë se kam vendosur për Kosovën dhe dua ta ndihmoj vendin tim”, tha Kryeziu fillimisht.

Mirlind Kryeziu (31) dhe Hekuran Kryeziu duke festuar një gol me fanellën e Zurichut

Ylli i Zurichut, thotë se është i emocionuar që do të luaj me Përfaqësuesen e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar që do të luaj me Kosovën. Ka qenë një ëndërr e familjes dhe e imja, që do të bëhet së shpejti realitet”.

“Të luash për vendlindjen tënde është privilegj dhe do të mundohem të jap gjithçka nga vetja për sukseset e Kosovës”, deklaroi Kryeziu për Telegrafin.

Mirlind Kryeziu (majtas)

Në vendimin e tij kanë ndikuar edhe dy yjet e Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli që i kanë folur gjithmonë për grumbullimet me Përfaqësuesen.

“Hekurani dhe Benjamini gjithmonë më kanë treguar se kalojnë mirë në grumbullim. Vendimin e pata marrë por që edhe fjalët e tyre kanë ndikuar”.

Mirlind Kryeziu

“Do të jetë shumë mirë që tre shokë nga i njëjti klub të luajmë për Kosovën. Gjithsesi të gjithë jemi nga i njëjti shtet dhe duhet të mendojmë vetëm për të mirën e vendit tonë”.

Kryeziu ka pasur biseda edhe me trajnerin e Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes.

“Kam biseduar disa herë edhe me trajnerin dhe kjo ka rëndësi për mua, pasi ai ka treguar interes dhe më ka thënë se llogarit në shërbimet e mija”.

Kryeziu në finalen e Kupës së Zvicrës, ku Zurich triumfoi ndaj YB Bern

21-vjeçari i ka përcjellë të gjitha ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa flet për mundësit e Dardanëve të kalojnë nga Grupi.

“I kam parë gjithmonë ndeshjet e Kosovës, luajmë një futboll të bukur dhe jemi në pozitë të mirë”.

“Besoj që me një angazhim të madh dhe përkushtim do të kalojmë nga Grupi dhe ta fitojmë Ligën D. Do të ishte një dhuratë e madhe për tifozët e mrekullueshëm”, përfundoi Kryeziu.

Kryeziu ka luajtur 22 ndeshje me grupmoshat e Përfaqësueses së Zvicrës, nga U16 deri në U21.

Qendërmbrojtësi shtatlartë edicionin e kaluar ka fituar Kupën e Zvicrës me Zurichun.

Ai me skuadrën bardh e kaltër po luan edhe në grupet e Ligës së Evropës, ku Zurich në dy ndeshjet e para ka triumfuar ndaj AEK Laranca dhe Ludogorets, ndërsa të enjten përballen me gjigantin gjerman Bayer Leverkusen. /Telegrafi/