Ekskluzive: Kontrata e dëmshme e Bedri Istrefit me kompaninë nga Shqipëria për Telekomin

E publikuar: 26/04/2020 16:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prej kohësh, Telekomi i Kosovës, perballet me vështirësi e probleme të mëdha.

Madje, muajve të fundit, edhe u paralajmërua falimentimi i kësaj ndërmarrjeje gjigante, shkruan gazeta inFokus.

Kësisoj, kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi siç pati raportuar ekskluzivisht Gazeta inFokus, kishte kërkuar ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për t’i ndihmuar financiarisht, pasi sipas dokumenteve që kishte publikuar Gazeta inFokus, Telekomi rrezikohej seriozisht nga falimentimi.

E kjo do të bënte që mijëra punëtorë të mbesin në rrugë.

Gazeta inFokus, në një hulumtim për gjendjen në Telekom ka gjetur dy kontrata të dyshimta, e që të cilat dyshohet se kanë dëmtuar këtë ndërmarrje.

Njëra nga to, është një kontratë e lidhur rishtaz, me një kompani të vogël nga Tirana e quajtur “AdvanTech”.

Qëllim i kësaj kontrate me këtë kompani është ndërtimi i një shërbimi të ri ipTV, pavarësisht që Telekomi i Kosovës posedon një të tillë, shkruan gazeta inFokus.

E pavarësisht kësaj, kjo kompani, sipas kontratës do t’ia merr Telekomit 60% të të hyrave nga shërbimi që shet.

Kësisoj, nëse një kombimin shërbimesh e ofruar nga kjo kompani me produkte të Telekomit të Kosovës shitet për 20 euro, Telekomi paradoksalisht i merr vetëm 8 euro nga kjo, ndërsa kompania në fjalë 12 euro.

Gazeta inFokus, mëson që kjo kontratë është një nga arsyet që ka përdorur bordi i ri i përkohshëm i Telekomit për të shkarkuar Kryeshefin Bedri Istrefi.

Ky i fundit nuk ka qenë në dispozicion të përgjigjet për gazetën inFokus lidhur me këtë kontratë. Megjithatë, redaksia e gazetës është në pritje të përgjigjeve nga zyra për informim e Telekomit për këtë qështje.

Ndërsa, po të shihet në databazën e bizneseve të regjistruara në Kosovë, Advan Tech, figuron e regjistruar në fund të vitit 2018, ndërsa ofron një gamë të gjërë e të ndryshme produktesh e shërbimesh.

Kjo prej ndërtimit të hekurudhave nëntokësore, kanalizimeve, urave, tuneleve, tregtisë, demolimit të objekteve e ndërtimit të autostradave e deri tek aktivitetet e programimit kompjuterik, telekomunikimit satelitor e transmetimit të programeve televizive./Gazeta inFokus/