EKSKLUZIVE: Hashim Thaçi s’mund ta duroj më Isa Mustafën kryeministër. Sot PDK e prish koalicionin

E publikuar: 01/04/2015 09:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koalicioni i arritur para më shumë se tre muajve ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrë fund shumë më shpejt se sa që e kanë parashikuar edhe skeptikët më të mëdhenj. Burime të larta brenda Partisë Demokratike të Kosovës që udhëhiqet nga Hashim Thaçi, kanë njoftuar se partia më e madhe në vend tashmë e ka ndarë mendjen dhe se pritet sot (e mërkurë), gjatë ditës edhe zyrtarisht të largohet nga qeveria.
“Vendimi është marrë në orët e vona të mbrëmjes. Pra të martën rreth orës 22:00 janë mbledhur njerëzit kryesor të partisë dhe kanë vendosur për një gjë të tillë”, tha ky burim. Sipas këtij burimi, megjithatë, njeriu i dytë i PDK-së, Kadri Veseli nuk ka qenë që të prishet koalicioni me LDK-në, mirëpo duket që fuqia e Hashim Thaçit vazhdon të jetë më e madhe në parti.
“Pavarësisht pse Veseli ishte kundër këtij vendimi, kryesia e ngushtë e partisë tashmë ka marrë vendim. Sot gjatë ditës edhe zyrtarisht PDK tërhiqet nga koalicioni”, tha ky burim i lartë i PDK-së, në cilësi të nënkryetarit që ishte në takimin e sontëm, i cili përfundoi para pak minutash.
Sipas këtij burimi dy janë arsyet kryesore që e kanë shtyrë Hashim Thaçin dhe PDK-në të marrin një vendim të tillë. Si arsye e parë sipas këtij burimi, është pakënaqësia shumë e madhe e anëtarësisë së PDK-së që LDK, gjegjësisht Isa Mustafa të udhëheq me qeverinë, ndonëse partia e drejtuar nga Hashim Thaçi ka dalë partia e parë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit. Dhe si arsye e dytë dhe kryesore, që e ka shtyrë PDK-në të tërhiqet nga koalicioni, është se kreu i PDK-së Hashim Thaçi nuk po mund ta duroj Isa Mustafën ta ketë shef.
Gazeta ka provuar që të flas zyrtarisht me drejtuesit e PDK-së, mirëpo ata i kanë pasur telefonat e ndalur.
Në LDK ndërkaq, nuk dinë asgjë.
Edhe pse zyrtarë nga kjo parti nuk kanë pranuar të flasin me emër, jozyrtarisht kanë thënë se arsye kryesore e largimit të PDK-së, mund të jetë themelimi i Gjykatës Speciale.
Sidoqoftë, tash i mbetet PDK-së që të negocioj me partitë tjera për të arritur koalicion, apo vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme.
Burime brenda PDK-së kanë thënë se vendi nuk ka nevojë që të shkoj në zgjedhje të reja. “Ne jemi partia e parë. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese na ka dhënë vetëm neve që ta kemi të drejtën për ta pasur edhe kryetarin e Kuvendit, si dhe të drejtën për ta nominuar kandidatin për kryeministër”, tha ky burim, duke shtuar se nëse LDK pretendon që vendi do të shkoj në zgjedhje, atëherë ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Do të veprojmë njëjtë siç kemi vepruar gjatë kohës kur ka qenë Blloku”, tha ky burim në kushte anonimiteti.
Ndryshe, Qeveria Mustafa ishte formuar pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve. Vendi ishte futur në krizë parlamentare për faktin se partitë opozitare ishin bërë bashkë duke e formuar Bllokun LVAN, derisa LDK doli nga Blloku dhe u bashkua me PDK-në, gjë që kishte nxitur reagime të shumta të AAK-së, VV-së e Nismës për këtë gjest të Isa Mustafës…
1 PRILLLIIIIIIIIIIIIIIII/gazetablic/