Ekskluzive: “Është punë e kryer, AKR do ta mbështes PAN-in”

E publikuar: 20/08/2017 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca Kosova e Re ka vendosur që ta mbështes kandidaturën e koalicionit PAN për kryeparlamentar, Kadri Veselin, e më pas AKR-ja e PAN pritet ta formojnë qeverinë.

Kështu kanë thënë burime të Klan Kosovës brenda Aleancës Kosova e Re.

“Është punë e kryer, AKR-ja do të votojë për PAN-in”, ka thënë ky burim për Klanin.

Të mbahet një qëndrim i tillë është vendosur në Këshillin drejtues të Aleancës Kosova e Re, ku vet anëtarësia e AKR-së, ka kërkuar nga presidenti i partisë, Behgjet Pacolli, që të gjejë zgjidhje për zhbllokimin e situatës politike edhe jashtë Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, publikisht AKR-ja ende nuk e ka konfirmuar këtë qëndrim, pos që kanë deklaruar se kanë autorizuar presidentin e tyre që të gjejë zgjidhje për dalje nga situata politike.

Një burim tjetër brenda AKR-së i ka thënë Klanit se një nga pikat e marrëveshjes së AKR-së me PAN-in është që Labinot Tahiri të jetë kandidat i përbashkët i AKR-së e PAN-it për kryetar të komunës së Ferizajt në zgjedhjet lokale të tetorit.