Ekskluzive: Dorasi i 6 të rinjve në Pejë, tash mercenar paramilitar i Putinit

E publikuar: 04/08/2020 09:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Njëri nga vrasësit e 6 të rinjve serbë, më 14 dhjetor të vitit 1998, jeton aktualisht në Rusi. Ai është një nga ish-bashkëpunëtorët e kriminelit të luftës Arkan, kurse në Rusi gjendet që nga vitit 2014, kur iu bashkua luftëtarëve separatistë rusë në Krime të Ukrainës në cilësinë e mercenarit. Ai është Davor Saviçiç, pjesë e grupeve famëkeqe paramilitare ‘Tigrat e Arkanit’ dhe atij rus ‘Wagner’, i cili është aktiv edhe sot nëpër vende ku Putini krijon konflikte”, ka thënë në kushte anonimiteti (për arsye sigurie) një gazetar nga Beogradi për Kosovapress.

Sipas gazetarit në fjalë, këtë fakt e dinë strukturat politike dhe ato të sigurisë në Serbi, gjithashtu edhe disa gazetarë, por nuk po e bëjnë publike.

“Autoritetet serbe e dinë edhe vrasësin tjetër që ka qenë me Saviçiçin, por presin që këtë ta bëjnë publike në një kohë të caktuar. Kjo do të konsiderohej si tregti e Vuçiçit karshi presionit për zbardhjen e vrasjes së tre shqiptaro-amerikanëve, vëllezërve Bytyqi”, ka deklaruar gazetari serb.

Burimi i Kosovapress, ka siguruar edhe një pjesë të komunikimit të kolegëve të tij serbë me Davor Saviçiçin, lidhur me akuzat që bien mbi të për rastin PANDA. Komunikimi është në gjuhën serbe, përkatësisht në Messenger të facebookut (foto në fillim).

“Informatat i kemi marrë nga shërbimet e autorizuara që merren me këtë çështje. Siç jam në dijeni, autoritetet në Beograd tashmë kanë pranuar dosjen tuaj dhe planifikojnë që ta aktivizojnë kur t’iu ngushtohet puna me rastin tjetër – rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Ngaqë nuk do të munden që ta përmbushin këtë kërkesë, rasti PANDA do aktivizohet në stilin ‘Ja kemi diçka tjetër’. Gjithashtu, siç unë e di, informatat tashmë i janë shpërndarë disa gazetarëve rusë dhe ukrainas. Unë, i kam parë dokumentet dhe dëshmitë”, thuhet ndër të tjera në komunikimin që ka pasur gazetarja serbe me Saviçiçin.

Vet mediat serbe, siç është “Kurir” (në vitin 2014), kishin shkruar se “Ish-kreu i Sigurimit të Shtetit (Drzavna Bezbednost), Radomir Markovic, iu ka ofruar kompetentëve shtetëror prova se sulmi në kefeterinë PANDA është bërë nën organizimin e Milorad Ulemek – Legija”.