Ekskluzive: Dokumentohet se para të Shtetit u dhanë për librin e Presidentit

E publikuar: 01/12/2018 12:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të paktën 65 mijë dollarë amerikanë janë dokumentuar se janë dhënë për librin biografik “New State, Modern Stateman” të Presidentit Hashim Thaçi. Kjo është njëra prej gjetjeve të shumta në raportin e Komisionit Hetimor për Shpenzimet e Lobimit, i cili është përfunduar dhe javën e ardhshme shkon në Parlament.

Gazeta Express ka siguruar një pjesë të raportit, i cili argumenton se Shteti i Kosovës ka dhënë para për librin personal të Presidentit.

Sipas këtij dokumenti bëhet e ditur se 65 mijë dollarë janë paguar vetëm për fjalën hyrëse të librit të Thaçit.

“Senatori Dole” ka redaktuar dhe reviduar fjalën e tij hyrëse në librin e ardhshëm të Presidentit Thaçi”, thuhet në një pjesë të dokumenit të komisionit hetimor në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë, siguruar nga një deputet i koalicionit qeverisës.

Më 18 korrik të vitit 2017, kompania “Alston and Bird” kishte dërguar në MPJ faturën e titulluar “Strategic Advice and Counsel” që ngarkonte Kosovën me pagesë prej 65 mijë dollarëve.

Ndërkohë, muaj më parë Express pati raportuar edhe si avokati britanik Geoffrey Nice i kërkonte paratë për asistimin që kishte bërë në librin e Hashim Thaçit.

Presidenti Thaçi, vazhdimisht ka mohuar se për librin e tij u dhanë para të shtetit.

Komisioni Hetimor për Shpenzime të Lobimit deri tash e ka ftuar presidentin Thaçi gjashtë herë për të raportuar, por ky i fundit i ka injoruar të gjitha ftesat.

Javë më parë, pas një mbledhjeje të këtij emisioni, kryetari Dardan Sejdiu tregoi se presidenti Thaci nuk është përgjigjur, ndërsa para komisionit kanë raportuar njerëz të afërt me të.

Ndër personat që janë intervistuar deri më tani nga komisioni janë ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentin Thaci.

Po ashtu komisioni ka kontaktuar edhe avokatin britanik Nice, i cili me disa letra që i ka dërguar qeverisë së tanishme, ka shpjeguar se si atij dhe koleges së tij, Nevonka Tromp, Thaci i kishte mbetur borxh rreth gjysmë milion euro.

Në librin e Thaçit, Nice thotë të ketë ‘kontribuuar’ duke i ndihmuar autores, Suzi Jagger, që të shkruaj për pjesën ku flitet për akuzat ndaj Thaçit se ka trafikuar organe gjatë luftës së vitit 1999. Kjo sipas avokatit ka qenë dakordim mes tij dhe ish-qeverisë e tani kërkon që të paguhet./Express

Artikull i sponzorizuar
TË FUNDIT