Ekonomia e Kosovës shënoi rritje mesatare

E publikuar: 23/06/2017 13:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ekonomia e Kosovës u karakterizua me rritje të aktivitetit gjatë vitit 2016 kundrejt vitit paraprak.

“Sipas statistikave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për BPV-në tremujore, rezulton se ekonomia e Kosovës shënoi rritje mesatare përgjatë katër tremujorëve të vitit 2016 prej 3.4 për qind. Për vitin 2017, parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes së BPV-së do të arrijë në 3.7 për qind. Rritja ekonomike gjatë vitit 2016 u mbështet nga rritja e kërkesës së brendshme, përderisa neto eksportet ndikuan negativisht në normën e rritjes ekonomike. Gjatë vitit 2016, ishin rritja e investimeve prej 9.1 për qind si dhe rritja e konsumit prej 3.0 për qind që kontribuuan në rritjen reale të ekonomisë së vendit. Sipas qasjes së prodhimit, rritja ekonomike gjatë vitit 2016 ishte kryesisht rezultat i rritjes së vlerës së shtuar të aktivitetit në sektorin e bujqësisë, tregtisë dhe aktiviteteve financiare”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së.
Sipas këtij raporti rënie reale vlerësohet të jetë shënuar tek afarizmi me pasuri të patundshme, industria përpunuese dhe administrimi publik.
“Në linjë me zhvillimet në tregjet e jashtme, ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2016 është karakterizuar me presione të dobëta inflacioniste. Norma mesatare vjetore e inflacionit, shprehur përmes indeksit të çmimeve të konsumit, deri në dhjetor 2016 ishte 0.3 për qind (-0.5 për qind në vitin 2015). Gjatë vitit 2016, sektori fiskal u karakterizua me rritje të të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore krahasuar me vitin paraprak”, thuhet në raport, raporton RTKlive.
Të hyrat buxhetore në vitin 2016 arritën vlerën neto prej 1.60 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore rreth 9.6 për qind, përderisa shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 1.66 miliardë euro, një rritje vjetore rreth 5.7 për qind.
“Rrjedhimisht, në vitin 2016, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 61.1 milionë euro krahasuar me deficitin prej 111.4 milionë euro në vitin 2015. Borxhi publik, në vitin 2016, ka arritur në 852.7 milionë euro që është për 13.9 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2015. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në rreth 14.5 për qind nga 13.0 për qind sa ishte në vitin paraprak”, thuhet në raport.