Ekonomia e Kosovës do të humb deri në 500 mln euro për shkak të pandemisë

E publikuar: 05/05/2020 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekonomia e Kosovës do të humb deri në 500 milionë euro si pasojë e pandemisë me COVID-19, ka thënë ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve.

Sipas tij, pakoja për rimëkëmbjen e ekonomisë pasi të kalojë pandemia do të jetë rreth 1 miliard euro e cila do të jetë e shpërndarë në disa fusha.

Bislimi thotë se problemi më i madh për qeverinë do të jetë marrja e mbështetjes nga parlamenti duke marr parasysh krizën politike që ka hyrë vendi që nga koha e mocionit për shkarkimin e qeverisë. Sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar buxheti i Kosovës do të ketë 200 milionë euro më pak këtë vit si pasojë e pandemisë.

Z.Bislimi, sa janë dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19?

Besnik Bislimi: Dëmet ekonomike në tërësi ende nuk dihen pasi pandemia nuk ka përfunduar. Por, ajo që dihet deri më tani është se përafërsisht në baza ditore pandemia shtetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 6 milionë euro.

Nëse këto shumëzohen më 50 ditë deri tash që kemi pasur pandemi, i bie që në total kemi humbur në prodhim rreth 300 milionë euro. Të shtojmë këtu edhe ato që mund të humbën edhe gjatë muajit maj, derisa ekonomia plotësisht të kthehet në kapacitete të plota, i bie që në tërësi mund të humb 450 – 500 milionë euro. Në rast se pastaj ecim më ritën normal pjesën tjetër të vitit.

Sa është e lartë kjo shifër për buxhetin e Kosovës, kur kemi parasysh se buxheti kap vlerën mbi 2.3 miliardë euro?

Besnik Bislimi: Buxheti i Kosovës nuk ndikohet proporcinalisht më dëmet në ekonomi për arsye se 2/3 e buxhetit i grumbullojmë për mes tregtisë ndërkombëtare. Tregtia ndërkombëtare nuk ka ngec më të njëjtin ritëm sikurse edhe ekonomia vendore. Ne deri më tani, për 50 ditë i kemi 32 milionë euro ulje në raport më vitin e kaluar nga të hyrat doganore që nënkupton se është përmasa më e vogël.

Ndërkaq, në tatimet e brendshme apo të hyrat nga qarkullimi i brendshëm nuk dihen për arsye se kemi bërë shtyerjen e pagesës se disa obligimeve deri në fund të muajit qershor. Kështu që është herët të dihet se sa ka më qenë ndikimi tek të hyrat e brendshme tatimore.

Bizneset thonë se kanë pësuar humbje të mëdha nga masat e marra për parandalimin e pandemisë. Sa është e mjaftueshme pakoja emergjente fiskale dhe a keni mjete për zbatim?

Besnik Bislimi: Pakoja është emergjente, rrjedhimisht nuk mund të përmbyllë dhe nuk ka për synim përmbushjen e dëmeve që i shkaktohen ekonomisë. Pakoja emergjente vetëm garanton kalimin sa më të lehtë të kësaj faze. Mirëpo, as nuk kemi pretenduar se mbulojmë të gjitha humbjet dhe as nuk mundemi. Humbjet duhet të ndahen brenda të te gjithë akterëve në ekonomi.

Ndërsa, pjesa më e madhe e ndihmës që i shkon komunitetit të biznesit arrihet përmes pakos së rimëkëmbjes ekonomike me dizajnimin e së cilës do të fillojë gjatë kësaj jave. Mirëpo kjo pako nuk mund të implementohet para se tërësisht të kalojnë masat kufizuese të qeverisë, për arsye se bizneset në këtë fazë as nuk tentojnë të marrin kredi.

Tash a kemi mjete të mjaftueshme, sigurisht që do të jetë më e lehtë, sikurse Kuvendi i Kosovës të na kishte dalë në ndihmë dhe mos të ishte bërë opozitar i vendit. Por megjithatë, ne jemi duke akomoduar gjithë pakon brenda buxhetit ekzistues e pastaj buxhetin e rishikojmë në muajin qershor apo korrik. Pakoja ka filluar të zbatohet, disa pika, për shembull pagesa e ndihmave sociale, pagesa e pensioneve, shtesat e punëtorëve që kanë qenë të rrezikuar janë realizuar.

Ndërkaq, po ashtu javën e kaluar ka filluar edhe ekzekutimi i pakos që i mbulon punëtorët, janë ekzekutuar rreth 15 mijë pagesa, pjesa tjetër është ekzekutuar të hënën dhe një numër tjetër ditën e martë.

Ka pas disa probleme, sepse është zbuluar se disa biznese kanë aplikuar por nuk është dashtë të jenë pjesë e pakos, çoftë se janë ndërmarrje publike, çoftë se janë ndërmarrje që kanë operuar më sukses gjatë kësaj faze.

Për shembull ka kompani që merret tregti më pakicë, i ka gjithsej 1100 punëtorë dhe i ka futur në listë të gjithë punëtorët edhe pse ne e dimë se pjesa më e madhe e këtij biznesi ka operuar pa problem.

Intervistën e plotë lexojeni në REL