Egoizëm i tepruar dhe vetëkënaqësi – vlerësimet e futbollistëve të Kosovës për 180 minutat ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe

E publikuar: 15/10/2018 12:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve.

Pas një ndeshje shumë të bukur në Prishtinë dhe një fitore të lehtë 3-1 ndaj Maltës, Dardanët u ndalen në barazim 1-1 te Ishujt Faroe.

Katër pikë nga këto dy ndeshje nuk janë pak por që shumë lehtë me një fitore në udhëtim kishim mundur ta blindojmë pozitën e parë në grup.

90 minutat e para kanë qenë të shkëlqyera tek disa lojtarë, por disa tjerë ishin jashtë formës dhe shumë egoist.

Nëse luhet më shumë si grup, ku disa lojtarë nuk do të mendojnë vetëm për vete, atëherë kjo Përfaqësueses mund të arrijë gjëra edhe më të mëdha.

Nuk kemi arritur ende asgjë që lojtarët të vetëkënaqen, duhet angazhim më shumë dhe seriozitet më i madh për t’i arritur objektivat.

Lojtarët që shkëlqyen më së shumti ishin Benjamin Kololli, Milot Rashica, Herolind Shala e Hekuran Kryeziu.

Më poshtë keni vlerësimet e futbollistëve dhe minutat sa kanë luajtur në këto dy takime të tetorit.

Samir Ujkani (180): Si gjithmonë titullar dhe paraqitje e mirë nga kapiteni. Pësuam dy gola por nuk ishte gabimi i tij. Në disa mundësi të Maltës dhe Ishujve Faroe, Ujkani intervenoi mjaftë mirë. Paraqitje dinjitoze nga numri një.

Mërgim Vojvoda (180): Është pa konkurrencë te Përfaqësuesja e Kosovës pasi nuk ka tjerë mbrojtës të djathtë. Luan mirë në fazën defensive, por në ofensivë duhet të përmirësohet ende pasi nuk harkon shumë në zonë edhe ato që i bënë nuk janë të sakta. Ndoshta një konkurrent në pozitën e tij do të bënte që Mërgimi të angazhohej më shumë.

Amir Rrahmani (180): Paraqitje mjaftë e mirë ndaj Maltës, por njëjtë nuk mund të thuhet edhe ndaj Ishujve Faroe. I dhuroi topin kundërshtarit dhe në kundërsulm pësuam golin e barazimit. Pritet më shumë nga Rrahmani.

Ardin Dallku (90): U pa disa herë i pasigurt, por mund të arsyetohet pasi ishte ndeshja e parë si titullar. Andini duhet të përmirësohet më shumë për të konkurruar me Rrahmanin dhe Alitin.

Fidan Aliti (180): Si qendërmbrojtës është fantastik, fiton thuajse çdo duel dhe kështu ndodhi edhe ndaj Maltës. Në ndeshjen e dytë Aliti ishte mbrojtës i majtë ku nga ajo pozitë erdhi goli i barazimit. Më mirë Challandes ta kthej në qendër, aty Fidani është fantastik.

Benjamin Kololli (90): Nuk do shumë fjalë ky futbollist. I pakalueshëm në mbrojtje ndëra në fazën ofensive është tejet i rrezikshëm nga krahu i majtë. Shënoi dy gola ndaj Maltës ku ishte më i miri në fushë. I mbeti hatri në 2-3 raste kur nuk iu lejua ekzekutimi i gjuajtjeve të lira nga Valon Berisha edhe pse Kololli është ekspert i tyre. Mëkat që u lëndua dhe mungoi ndaj Ishujve Faroe, u vërejt shumë mungesa e tij.

Herolind Shala (180): Nëse një ndeshje zgjat 200 minuta për Shalën nuk do të ishte problem, pasi nuk ndalet në asnjë moment duke vrapuar. Shkatërrime të aksioneve, ndërtime të tyre, pasime të sakta dhe gjithçka tjetër. Shala ishte ndër më të mirët në 180 minuta. Rikthimi në Start i ka bërë mirë pasi i ka kthyer edhe vetëbesimin. Thjesht i palodhshëm. Vazhdo kështu Herolind.

Hekuran Kryeziu (90): Se sa është i rëndësishëm ai te Kosova u vërejt në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe. Hekurani si gjithmonë është lider në mesfushë ku ka formuar një partneritet të mrekullueshëm me Shalën. Ylli i Zurichut po ndërton e shkatërron aksione, por duhet të ketë kujdes me kartonët, pasi mungesa e tij është humbje për Kosovën.

Idriz Voca (54): Në mungesë të Kryeziut e pati rastin të luaj titullar ndaj Ishujve Faroe. Idrizi nuk është te Kosova si te Luzerni ku po luan mjaftë mirë. I ri në moshë dhe i duhet ende kohë pasi humbi disa duele dhe topa. Duhet të tregohet më i guximshëm.

Besar Halimi (54): Ende nuk është Besari i disa muajve më parë. Gjilanasi luajti 54 minuta në total në dy takimet duke u inkuadruar nga banka rezervë dhe duke ngjallur lojën. Mirëpo vërehet se ende nuk ka ardhur në formën e tij më të mirë. Na duhet Besari i muajit mars që bënte magji me topin.

Valon Berisha (163): E dha një asistim tek goli i parë i Kolollit por humbi shumë topa në dy ndeshje. Nuk e markoi lojtarin tek goli i barazimit të Maltës. Ishte disa muaj jashtë dhe pa shumë minuta në këmbë por çuditërisht luajti dy ndeshjet si titullar edhe pse jashtë formës së tij. Është shumë egoist, mendon vetëm për vete pasi mundohet t’i bëjë të gjitha vet. Valon, Benjamini është ekspert i gjuajtjeve të lira, është mirë ta bëni me rend ekzekutimin e tyre e mos e hidhëro djalin si të enjten mbrëma. Jashtë formës së tij, shpresojmë të luaj më shumë te Lazio pasi na nevojitet një Valon më i fortë në nëntor.

Edon Zhegrova (163): Nganjëherë po mendojmë se do t’ia fillojë t’i driblojë edhe tifozët. Është unik me topin, driblon gjithçka që i del përpara, godet bukur por edhe egoizmi nuk i mungon, në fushë harron që përveç tij janë edhe nëntë futbollistë tjerë dhe presin topin nga ai. Ndaj Maltës goditi dy shtylla, ishte i pafat. Në ndeshjen e dytë nuk ishte si në të parën, ndoshta në mënyrën se si shkoi ndeshja do të ishte më mirë të inkuadrohej nga banka se sa që filloi si titullar. Edon, nëse fillon të pasosh më shumë je më i miri.

Milot Rashica (105): Milotin e këtyre dy ndeshjeve është dashur ta shohim nga ndeshja e parë e tij me Kosovën. Banka i bëri mirë në ndeshjen e parë pasi u fut në lojë, asistoi e rrezikoi portën. Ndaj Ishujve Faroe shënoi një gol të mrekullueshëm dhe luajti mjaftë mirë. Shpresojmë që fillon të luaj edhe tek Bremeni pasi na duhet një Milot në formë.

Arber Zeneli (93): Ndoshta është futbollisti më i rrezikshëm i Kosovës. Ndaj Maltës luajti 75 minuta por u injorua keq nga shokët e ekipit që nuk i dhanë shumë topa. Nëse luhet më shumë me të suksesi nuk diskutohet. Në ndeshjen e dytë u ul në bankë luajti 18 minuta por pa arritur të bëjë shumë pasi nuk u luajt shumë nga krahu i tij. Kosova do të ishte shumë më e rrezikshme nëse luhet më shumë me Arbrin.

Lirim Kastrati (8): Debutoi me Kosovën A dhe ky është lajmi më i rëndësishëm. Lirim mos jep më intervista në Kroaci se nuk mund të luash më për askënd tjetër veç Kosovës. Lojtar i talentuar, e ngjalli lojën në ato minuta sa ishte në fushë. Është e ardhmja jonë, vazhdo e shëno në Kroaci, shpresojmë që golin ta shijosh së shpejti edhe me Kosovën.

Vedat Muriqi (86): Humbi shumë raste në ndeshjen e parë, por shënoi një gol tepër të rëndësishëm. Shumë i fuqishëm në duele kur thuajse i fiton të gjitha, por jo edhe aq efikas. Rastet e arta që i kishte është dashur minimum het trik të realizonte ndaj Maltës. Në takimin e dytë u fut krejt në fund dhe nuk pati mundësi të rrezikonte.

Atdhe Nuhiu (90): Ndeshjen e parë e shikoi nga banka rezervë ndërsa në të dytën Challandes e vendosi si titullar. Nuk bëri shumë por as nuk u shërbye shumë nga bashkëlojtarët. Angazhimi nuk i mungon, lufton shumë dhe fiton duele në ajër. I duhen më shumë topa në zonë. Sulmuesi i Sheffield Wednesday u ndëshkua me karton të verdhë dhe mungon ndaj Maltës. /Telegrafi/