Efekti Ronaldo, Juventusi rritet për rreth tre milionë ndjekës në rrjetet sociale

E publikuar: 12/07/2018 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventusi ka pasur efekt të menjëhershëm duke rritur ndjeshëm faqet zyrtare të klubit italian në rrjetet sociale.

Ylli portugez u transferua te Juventusi gjatë ditës së martë për një shifër që mendohet se është 112 milionë euro në total.

Përveç shifrës së transferimit, Zonjës së Vjetër i duhet t’i paguajë Ronaldos edhe nga 30 milionë euro në sezon, për katër vite kontratë.

Këto shifra duken të mëdha dhe të paarritshme për futbollin italian pasi ylli portugez do t’i kushtojë Juventusit mbi 200 milionë euro për katër vite.

Por, efekti i Ronaldos ka qenë i menjëhershëm për klubin italian, duke ditur se dyqanet e tyre zyrtare dhe faqet online kanë qenë të bllokuara nga shitja e madhe e fanellave.

Transferimi i portugezit nuk ka pasur efekt pozitiv vetëm në shitjen e fanellave, por edhe në ngritjen e markës së klubit në rrjetet sociale.

Që nga transferimi i sulmuesit në Torino, klubi italian është rritur në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale për mbi tre milionë euro ndjekës.

Për 48 orë, profili i Juventusit në Instagram është rritur për 1.4 milion ndjekës, ai i Twitterit për 1.1 milion ndjekës dhe ai Facebookut për 500 mijë ndjekës. /Telegrafi/