Edhe pse ka pasur ndër vite rritje të buxhetit për reforma në arsim dhe suksesi dihet, ministrja Bajrami thotë se Qeveria Kurti do të rris përsëri buxhetin

E publikuar: 24/02/2020 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë lansimin e projektit strukturor Erasmus + “Përmirësimi i kulturës kërkimore në arsimin e lartë në Kosovë (ResearchCult)”.

Ministrja Hykmete Bajrami, deklaroi se gjendja në arsim është jo e mirë andaj ka nevojë për përmirësime dhe ngritjen të cilësisë.

Bajrami potencoi se do të ketë rritje të buxhetit për reformat në arsim.

“Ne jemi në ditët e para të marrjes se mandatit dhe kemi vërejtur që në shumë fusha nevojitet përmirësime siç fillon edhe ky projekt. Besoj që të gjithë së bashku do të punojmë në përmirësimin e këtyre fushave. Që nga parashkollorët e deri të niveli i lartë të ngritet cilësia e arsimit, do të kemi mobilizim dhe bashkëpunim me ndërkombëtaret”.

“Kemi nevojë që të kemi një fuqizim të aktivitetit hulumtues. Do të hapen horizonte për integrimin e  zonës së Kosovës në hapësirën e kërkimit që të jenë në harmoni me hapjen e vendeve të punës”.

“Kosova pritet ta avancojë statusin e asocuar në programin e ardhshëm në BE Horaisen 2020. Bashkëpunimi ndëruniversitar ne mund të jemi përfitues të skemave të tilla sa i përket kapaciteteve. Projekti ‘Research cult’ të jetë i suksesshëm përmes zhvillimit dhe aplikimit të fushave. Na duhet rritja e buxhetit dhe do të ketë rritje dhe skema efikase”, u shpreh Bajrami.

Hillen Francke nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bëri të ditur se Kosova është mbrapa lidhur me sistemet kërkimore jo vetëm në BE, por edhe në rajon.

Francke theksoi se nëse Kosova bën progres në arsim do të ketë mundësi të bëhet anëtare e programit ndërkombëtar.

Mes tjerash, Francke ka folur edhe për investimin e madh që ka bërë BE-ja në Kosovë, për të cilin tha se i duhen partner të besueshëm dhe të përkushtuar për të ngritur vlerën e investimeve.

“Kosova ka arritur një masë të madhe të pjesëmarrjes në Erasmus +. Kosova është aplikuesi kryesor i projektit të sotëm. Është inovativ dhe mundëson pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare. Kosova është mbrapa sa i përket sistemeve kërkimore si në BE por edhe në rajon”

“Kosova ka shumë më tepër potencial në këtë aspekt dhe si anëtare partnere do të ketë qasje në mundësi të mëdha financiare. Nëse shihet progres i mjaftueshëm shpresa jonë është që Kosova t’i bashkëngjitet programit si shtet partner si vendet tjera por duhet të demonstrohet ai proces. 80 milionë euro në arsim në Kosovë, homolog të  besueshëm dhe të përkushtuar për të ngritur shumën për arsimin”, ka thënë ajo.

Jehona Lushaku, nga Erasmus+ zyra në Kosovë, tha se ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e arsimit të lartë në gjithë Kosovën, raporton EO.

“Sistemi kërkimore është sfidë e arsimit të lartë. Andaj kjo do të ndihmojë në përmirësimin në gjitha Kosovën. Rezultatet do të jenë të prekshme dhe besoj në një te ardhme dhe me mbështetje do të arrini ti përmbushni objektivat e parapara në projekt”, ka thënë ajo.

Qëllimi i projektit ishte mbështetja në rritjen e kulturës se kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë i cili u financua nga BE-ja.