Edhe pse e kritikuar kryetarja e Hong Kongut, Kina vazhdon përkrahjen për të

E publikuar: 16/12/2019 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u takua të hënën në Pekin me kryetaren e Hong Kongut, Carrie Lam. Para takimit, kreu i shtetit kinez tha se e vlerëson guximin e saj për ta qeverisur qendrën e njohur financiare gjatë kohërave të vështira.

“Situata në Hong Kong në vitin 2019 ishte më e vështira dhe më e ndërlikuara që nga kthimi në atdhe”, tha presidenti Jinping para gazetarëve disa minuta para se të fillonte takimi me dyer të mbyllura.

Takimi i kryetares Lam me presidentin kinez erdhi vetëm një ditë pas përleshjeve mes policisë dhe protestuesve në disa qendra tregtare të Hong Kongut në kohën kur kriza politike në ish-koloninë britanike po futet në muajin e shtatë.

Mediet në Hong Kong kanë raportuar se takimi i dy liderëve mund të prodhojë direktiva të reja të Pekinit për krizën politike në qytetin me autonomi të kufizar, përfshirë riformatimin e mundshëm të kabinetit qeveritar.

Presidenti kinez nuk dha hollësi, por e ritheksoi përkrahjen për kryetaren Lam, pavarësisht disa raportimeve të mëhershme të medieve se ajo mund të shkarkohet nga detyra.

Ai shtoi se Kina mbetet e palëkundur në përkrahjen që do t’ia ofrojë policisë së Hong Kongut për ta siguruar zbatimin e ligjit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.