Edhe New York Times raporton për hetimet ndaj Grabovcit

E publikuar: 27/08/2016 11:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nisja e hetimeve të Prokurorisë së Shtetit ndaj Adem Grabovcit në lidhje me përgjimet telefonike është raportuar edhe nga mediume të rëndësishme ndërkombëtare.
Pas raportimit të agjencisë së lajmeve Reuters, lajmi është dhënë edhe nga prestigjiozja amerikane New York Times.

NYT ka bazuar raportimin e saj në shkrimin e Reuters të titulluar “Prokuroria e Kosovës heton aleatin e presidentit” ku thuhet se një aleat i presidentit të Kosovës është nën hetime për dyshim të dhënies së vendeve të punës në institucione dhe kompani publike për njerëz në bazë të afërsisë së tyre politike”.

Duke iu referuar Prokurorisë së Shtetit, Reuters dhe NYT raportojnë se hetimi ndaj Adem Grabovcit, është i bazuar në provat e përgjimeve telefonike të bëra në vitin 2011 gjatë një operacioni anti-korrupsion nga ana e misionit të BE-së për drejtësi në Kosovë, EULEX.

“Eulex nuk kishte ngritur aktakuzë, por më vonë 1 mijë e 200 audio incizime kanë rrjedhur nga gazeta hulumtuese online Insajderi.com”, raportoi të premten Reuters.

Pjesë e shkëputur nga raportimi i NYT

26 ditë pas nisjes së publikimit të përgjimeve nga Insajderi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetime ndaj nënkryetarit të PDK-së, Adem Grabovcit. Ai dyshohet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.

Por, Adem Grabovci mund të mos mbetet protagonisti i vetëm i Dosjes së Shefave ndaj të cilit Prokuroria e Shtetit ka nisur hetime.

Kështu ka paralajmëruar të premten prokurorja Drita Hajdari, e cila ka thënë se nëse gjatë hetimeve për përgjimet zbulohet “diçka e dyshimtë ose elemente të veprës penale, ne nuk do të hezitojmë.”

Në këtë kontekst, hetimet mund të nisin edhe ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së të cilët dëgjohen në një numër përgjimesh telefonik të bëra publike nga Insajderi.