Edhe NATO bojkoton opozitën e Kosovës

E publikuar: 21/02/2016 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Javën që vjen, një numër politikanësh dhe deputetësh kosovarë janë ftuar për vizitë në qendrën e NATO-s në Bruksel për takime me nivele të larta në të cilat do të diskutohet për çështje të sigurisë dhe integrimit të Kosovës në NATO.
Mësohet se pjesëmarrja e deputetëve dhe politikanëve të opozitës është anuluar krejtësisht.

Vizita e quajtur “Policy – Makers Tour to NATO”, sipas burimeve brenda Kuvendit të Kosovës, organizohet një herë në dy vjet dhe më parë ka pasur të ftuar politikanë jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita, që merren me çështje të sigurisë, terrorizmit dhe integrimeve Euro-Atlantike.

Kësaj radhe, për shkak të situatës në vend dhe përdorimit të dhunës nga opozita në Kuvend, asnjë deputetë apo politikanë i afërt me tri partitë opozitare nuk është ftuar në këtë vizitë.

Në grupin e atyre që janë ftuar për takime dyditore në Bruksel me lidershipin senior të NATO-s janë deputetët Blerta Deliu (PDK) dhe Ismet Beqiri (LDK), bashkë me zëvendësministrat Petrit Selimi dhe Ramadan Ilazi nga PDK-ja, si dhe Milan Radojevic nga Lista Serbe.

Pjesë e delegacionit do të jenë edhe disa oficerë të lartë të FSK-së. /lajmi.net/