Edhe Mitrovica, Gjilani e Drenasi, ndër komunat me ajrin më të ndotur në vend

E publikuar: 14/11/2018 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Ambientit, Fatmir Matoshi të martën, kur raportoi para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, tha se do të konfiskohet thëngjilli në treg.
Por, jo vetëm Prishtina ka probleme me ajër të ndotur për shkak të thëngjillit, raporton KTV.

Nivel edhe më i lartë i ndotjes së ajrit, sipas Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës, ditëve të fundit është shënuar në qytetin e Obiliqit.

Banorët e Obiliqit janë shprehur të indinjuar se si askush nuk po ndërmerr masa për përmirësimin e gjendjes së ajrit këtu.

Stacioni për monitorimin e cilësisë së ajrit i IHMK-së, tregon se edhe Mitrovica, Gjilani e Drenasi janë ndër komunat më të ndotura në vend.

Në këtë institut thonë se vlera e lejuar e ndotjes së ajrit në këto komuna është kaluar disa herë.

Shkak për këtë janë termo-elektranat, transporti dhe shtëpitë.

Edhe matësi i Ambasadës Amerikane, jep vlera të larta të ajrit të ndotur.

Të reshurat atmosferike si shiu e bora, por edhe erërat sipas njohësve, do të ishin të favorshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit, ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Sipas IKSHP-së, nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative, si dëmtim të shëndetit të qytetarëve dhe rritje të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. Posaçërisht, ky ajër është i dëmshëm për ata që janë të prekur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.