Edhe dy deputetë thonë se nuk do ta votojnë Thaçin për President (Video)

E publikuar: 31/01/2016 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe dy ulëse të zbrazëta më shumë do të jenë në seancën ku pritet të zgjidhet presidenti i republikës, raporton KTV.

Pos deputetes Vjosa Osmani, në seancën për zgjedhjen e presidentit, ku pretendent është Hashim Thaçi, nuk do të qëndrojnë as Alma Lama e LDK-së e Gëzim Kelmendi, deputet i pavarur.

Lama madje as që mërzitet për koston politike që mund t’i kushtojë asaj, por thotë se nuk do t’i mundësojë asnjë personi të kësaj elite, siç i quan ajo të korruptuar e të inkriminuar politike, t’i zë postet kryesore të shtetit.
Për të Hashim Thaçi nuk është njeriu i duhur për president, sepse ky post duhet t’i takojë një intelektuali që e përfaqëson denjësisht Kosovën në botë.
Votë për Hashim Thaçin nuk do të japë as Gëzim Kelmendi, që në zgjedhjet e 2014-ës, ishte në një listë me PDK-në.
Thotë se nuk do të qëndrojë në sallë për t’i bërë kuorumin, sepse Hashim Thaçin nuk e sheh si figurë unifikuese.
Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani kishte thënë se nuk do të jetë në sallën plenare në ditën kur në votim do të hidhet zgjedhja e Hashim Thaçit president, edhe sikur të jetë personi i vetëm që do ta lë karrigen e zbrazët.
Kundër Hashim Thaçit janë deklaruar edhe disa deputetë të tjerë të LDK-së, por ende nuk e kanë konfirmuar nëse do të qëndrojnë në sallë që t’ia bëjnë kuorumin atij.
Deputeti Fatmir Rexhepi, i cili votoi kundër Isa Mustafës për kryeministër, nuk ka treguar nëse do të qëndrojë ose jo në sallë, por ka thënë se më e rëndësishme është që të zgjidhet kriza politike e të mos nguten për president.
Ai për KTV-në ka thënë se zgjedhja e presidentit në këtë situatë vetëm sa do ta thellonte krizën. Sipas tij, presidenti do të duhej të zgjidhej në sallë plenare solemnisht e jo në kuzhina e tavane të Kuvendit.