Edhe Cheslea kërkon Elseid Hysajn

E publikuar: 06/07/2015 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E bujshme! Chelsea i Jose Mourinhos interesohet për Elseid Hysajn. Janë vetë mediat pranë klubit londinez, më konkretisht “Chelsea News”, që zbulon faktin që mbrojtësi i Empolit pëlqehet nga kampionët në fuqi të Premier Leagues ,që po studiojnë mundësitë për ta blerë shqiptarin. Ky sajt vlerëson paraqitjet e 21-vjecarit gjatë sezonit të fundit në Serinë A në radhet e Empolit, ku ka spikatur me cilësitë e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes. Hysaj sipas “Chelsea News”, mund të luajë në të dy krahët, duke e krahasuar për nga aftësitë që ka me mbrojtësin serb të Chelseat, Branislav Ivanovic. Gjithashtu vihet në dukje se mbrojtësi kuqezi është shumë më i fortë në fazën mbrojtëse dhe kushton më pak se 10 milionë Paund.

Për mediat italiane Elseid Hysaj është vënë në ankand, pasi janë të shumta klubet e Serisë A që po monitorojnë situatën e tij. Nga Napoli, Lazio, Fiorentina Bologna, Torino madje edhe Roma, dëshirojnë të sigurojnë shërbimet e futbollistit të lindur në Shkodër, pa harruar edhe skuadrat e Bundesligës Shalke 04 dhe Bayer Leverkusen. Kërkesa e Empolit për kartonin e Hysajt është 8 milionë Euro, skuadra që do të jetë e gatshme ta paguajë këtë shifër, mund ta marrë menjëherë mbrojtësin.