Edhe 15 të vdekur e 226 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

E publikuar: 31/07/2020 15:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar të premten, se në 24 orët e fundit kanë vdekur 15 pacientë me COVID-19, ndërkohë janë shtuar edhe 226 raste pozitive.

Sipas IKSHPK-së, të gjithë pacientët që humbën betejën me koronavirusin kishin sëmundje shoqëruese.

Ndërkohë, rastet e fundit pozitive kanë dalë nga 459 mostra të marra nga QKUK-ja, spitalet rajonale dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Numri total i rasteve pozitive është 8.330.

IKSHPK-ja njofton se në 24-orëshin e fundit janë shëruar 115 pacientë.

Që nga fillimi i pandemisë janë shëruar 4.578 pacientë, ndërkohë që 3.525 raste janë ende aktive.

Rastet e fundit pozitive janë nga: komuna Prishtinë 82, komuna Podujevë 26, komuna Fushë-Kosovë 18, komuna Mitrovicë 15, komuna Pejë 13, komuna Gjakovë 12, komuna Gjilan 9, komuna Klinë 7, komuna Viti 7, komuna Vushtrri 7, komuna Lipjan 6, komuna Deçan 4, komuna Drenas 4, komuna Skenderaj 4, komuna Malishevë 3, komuna Ferizaj 2, komuna Kamenicë 2 dhe me nga 1 rast komunat: Kaçanik, Prizren, Shtime, Shtërpce dhe Suharekë.

Dje u shënuan 16 të vdekur, 258 raste të reja e 196 të shëruar.