E tradhtova burrin me doktorin

E publikuar: 20/02/2016 18:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jam një zonjë 40 vjeçare nga Tirana që kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë shumë e dhënë pas vetes dhe jam munduar ta mbaj trupin në formë, edhe pse jam e martuar dhe kam tre fëmijë si yje. U martova kur isha 20 vjeçe, jo se donte familja apo për ndonjë arsye tjetër, por sepse unë rashë në dashuri. I tregova gjithçka mamit e babit dhe ata më thanë që nëse e shihja të arsyeshme ta prezantoja në familje, ishte në dorën time, por nëse më vonë ai nuk do të dilte ashtu siç unë e kisha menduar apo ashtu si ai do të paraqitej në shtëpi, unë nuk kisha asnjë të drejtë të thoja asgjë.
U fejuam dhe kemi qëndruar të fejuar pothuajse për tre vjet sepse unë duhej të mbaroja fakultetin. Studioja për Fizikë. Gjithçka shkonte mirë me burrin tim dhe sot e kësaj dite shkon gjithçka mirë, sepse ai nuk e di se çfarë i kam bërë unë 5 vite më parë. Nuk e di dhe asnjëherë nuk e kam vendosur nëse duhet t’ia tregoj dhe sa herë që e shoh burrin tim, me vjen rëndë që jam gruaja e tij. Një bashkëshorte e mirë nuk duhet të tradhtojë kurrë sepse tradhtia është shkaku kryesor që prish një familje. Kjo ka qenë gjithmonë ideja ime dhe më vjen shumë keq që nuk arrita ta mbaja deri në fund, por jeta qenka e çuditshme dhe shumë e pakuptimtë. E doja shumë burrin tim. Edhe pse ai nuk e ka shkollën që prindërit e mi kërkonin për dhëndrrin e tyre, unë përsëri nuk e lëshova kurrë veten dhe kemi qenë çifti më i bukur i fisit. Kujt ia priste mendja që unë në moshën 35 vjeçare do ta tradhtoja me doktorin i cili më kuroi për një sëmundje që më vonë mora vesh që nuk e kisha pasur kurrë?
Para 5 vjetëve ngela pa punë, u bënë shkurtime në shkollën ku punoja si mësuese fizike dhe unë u sëmura keq. Asnjë doktor nuk po më gjente dot se çfarë kisha, sepse nga simptomat dukej sikur isha shtatzënë, por ekoja që bëra nuk tregoi diçka të tillë. Një ditë, burri im erdhi në shtëpi me një burrë tjetër dhe më tha që i ati i tij, por edhe ky vetë, ishin doktorë të zotë në fshatin e tij dhe se me shpresë të Zotit, do të gjente se çfarë më mundonte mua. Ai më vizitoi me mënyrat e vjetra në shtëpi dhe më tha që kisha simptomat e veremit, ose ndryshe stres i shkallës së lartë dhe që duhej të merresha me diçka që të ulja pak stresin. Unë habitesha që më thoshte që isha sëmurë, sepse unë nuk ndihesha keq gjatë gjtihë kohës, por vetëm me momente. Doktori ishte një goxha burrë, rreth të tridhjetave dhe shumë i pashëm. Ai vinte më vizitonte edhe kur burri im, Leoja, nuk ishte në shtëpi. Unë doja më shumë të filloja një punë, sepse ndihesha keq që burri im punonte dhe unë jo. Sot po e kuptoj që i gjithë problem dhe gjithë ajo mërzitje paskan qenë ngaqë unë e ndieja veten shumë poshtë me moral, sepse nuk punoja. Ardhjet e tij në shtëpinë tonë u bënë të shpeshta, edhe pse unë nuk i merrja për keq sepse justifikohej dhe gjithmonë më vizitonte.
Kaluan disa kohë dhe unë po filloja ta ndieja mungesën e tij. Kur kalonin dy ose tre ditë që ai nuk vinte të më kontrollonte, unë bëhesha më keq. Nuk e kuptoja çfarë po më ndodhte; në vend që të bëhesha më mirë, po bëhesha më keq. Më vinte zor t’i thoja burrit tim që ndihesha ashtu, sepse e kuptoja që po filloja që të ndieja për atë doktor me emrin Andrea. Andrea ishte shumë i zoti në punën që bënte, por edhe shumë provokues. Çuditërisht, sa herë që ai ndodhej aty, unë isha shumë më mirë. Një ditë e dëgjova tek i thoshte Leos: “Klara duhet të lëvizë diku, duhet ta nxjerrim nga shtëpia, se veremi këtë ka, nëse nuk merresh me të, të vdes”. Burri im pohonte nga ana tjetër. Sapo mbaruan këtë bisedë, erdhën të dy te dhoma ime dhe më thanë që duhej të vishesha, sepse bashkë me Andrean do të më çonin në Durrës, për pak qetësim dhe që të dilja pak. Pohova me kokë dhe shkova të vishesha. Ndërkohë që po vishesha unë, burrin tim e kishin marrë në telefon dhe e kishin kërkuar të puna. Kështu, ngeli që të shkoja me Andrean. Unë në fillim u stepa dhe nuk doja të shkoja, sepse sikur të ma ndjente zemra që do të ndodhte diçka. Shkuam diku në bregdetin e Durrësit, në një lokal me pamje nga deti, flladi po më përkëdhelte fytyrën dhe sinqerisht që kisha filluar të ndihesha shumë mirë. Po bisedonim për jetën në përgjithësi dhe në një moment, i thashë:
– Sot ma paska qejfi të pimë pak verë…
Ai më pa dhe me plot gojën më tha që kishte ditë që edhe ai donte të pinte për të harruar problemet që kishte në shtëpi. Aty kuptova se njerëzit që duket sikur nuk kanë asnjë problem, kanë më shumë. Duke pirë verë dhe duke treguar për jetën e tij, më dukej sikur po njihja një Andrea tjetër. Pimë shumë dhe as vetë nuk e kuptova se si përfundova duke u përqafuar me të dhe ndjeva buzët e tij të preknin buzët e mia. O Zot, çfarë ndjesie! Kisha shumë, shumë kohë që nuk ndihesha kështu, madje kisha harruar se sa kohë kisha që nuk provoja afshin e puthjes plot pasion. U puthëm për orë të tëra dhe në fund u gjendëm në krahët e njëri-tjetrit. Nuk na interesonte nëse ishte ditë apo jo, thjesht jetuam disa orë të bukura që unë, edhe pse po bëja një faj, nuk do t’i harroj për gjithë jetën. Kur u çuam për të ikur, të dyve na vinte turp nga njëri-tjetri dhe nuk e shihnim në sy as unë atë, as ai mua. Rrugës për në Tiranë ai më tha diçka tronditëse që kur e dëgjova, m’u duk sikur më ra qielli në kokë:
– Klara, ti nuk je sëmurë, nuk ke asgjë, ti je thjesht e mërzitur dhe e stresuar, të duhet vetëm një punë dhe do të jesh shumë mirë.
E shikoja dhe nuk mund ta besoja që ai ishte tallur gjithë kohës me mua dhe kishte dashur vetëm të më fuste në shtrat. Erdhëm në shtëpi dhe i thashë burrit tim që ajo shëtitje më kishte bërë shumë mirë dhe se doja të punoja, ngaqë nuk isha më aq keq sa përpara. Fillova punë si sekretare në një shkollë private dhe dalëngadalë, fillova të ndihesha shumë më mirë. Sot, pas 5 vjetësh, ndihem mrekullisht mirë, sepse kam një familje të shëndoshë që më qëndron afër dhe nuk më lë për asnjë sekondë vetëm, kam një burrë që nuk di asgjë dhe fle çdo natë me mua me mendimin se ajo që fle në krah të tij është gruaja ideale. Për Andrean nuk di asgjë më, madje edhe Leon nuk e kam pyetur më, sepse nuk dua as ta përmend atë emër. Sot, më vjen keq që e tradhtova burrin tim, babain e fëmijëve të mi me doktorin që më bëri të sëmurë pa qenë e tillë. Më gjykoni nëse e shihni të arsyeshme, por kisha nevojë që këto t’ia tregoja dikujt…