E quajti të “poshtër” studenten që lajmëroi ngacmimin seksual, s’ka asnjë pasojë për prokurorin Maqedonci

E publikuar: 18/06/2019 18:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurori Rexhep Maqedonci duket se nuk i ka rënë fare pishman që e kishte quajtur “të poshtër” një studente që pretendonte se ishte ngacmuar seksualisht nga profesori. Pavarësisht kësaj, ndaj tij nuk është shqiptuar ende ndonjë masë. Madje, ka dyshime nëse ai është dërguar në Komision Disiplinor. Përderisa ish-kryeprokurori Imer Beka thotë se vendimi për këtë i përket U.D së kryeprokurorit Kujtim Munishit, ky i fundit thotë se Maqedonci është dërguar në komision në kohën sa Beka ishte kryeprokuror.

Arjeta Shabani

Deklaratat e Prokurorit Rexhep Maqedonci për një studente që pretendonte se ishte ngacmuar seksualisht nga një profesor i Universitetit të Prishtinës, kanë kaluar në heshtje.

Maqedonci e kishte quajtur “të poshtër” vajzën që ka ngritur rastin, dhe me siguri thoshte se nuk ka pasur ngacmim seksual.

“O i kam shiku të gjitha deklaratat, nuk ka aty ngacmim seksual, po më ngacmon ky mua apo unë ty, por njerëzit e poshtër deri në atë masë bijnë nga mungesa e aftësive profesionale dhe kualiteti për me e dhënë një provim si duhet dhe me nder, mundohen me e shantazhu një njeri të pafajshëm. Ai mund të bëjë gjithçka por ngacmim seksual aty nuk ka më sa kam pasur unë me nënën time”, kishte thënë Maqedonci për media.

Ai e kishte quajtur “të poshtër” edhe burrin e studentes i cili ishte përfshirë në një konflikt me profesorin. Madje, kishte thënë se edhe nëse dikush do i kërkonte gruas së tij që të flinin bashkë, ai nuk e konsideron ngacmim.

“Një njeri i poshtër një “degjenerik” u mundu me ia lënë fajin. Ai ka shku me e sulmu se pse gruaja nuk e ka dhënë provimin, mandej jo ky ja ka lyp gruas time, i ka thënë gruas time a po vjen me flejtë me mua… edhe gruas time mundet me i thënë dikush a po vjen me flejtë por ky nuk është ngacmim, me flejtë nuk ka kurrgjë, kurrfarë zarari nuk ka me flejtë”, kishte thënë prokurori.

Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Prokurori Maqedonci i kishte bërë këto deklarata, ndaj tij nuk është ndërmarrë asnjë masë deri më tani.

Madje, ende nuk dihet nëse ai është dërguar në Komision Disiplinor për këto deklarata.

Ish –kryeprokuri Imer Beka ka thënë se Maqedonci nuk është dërguar në komision në kohën sa ai ka qenë në krye të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Sipas tij ky vendim i përket ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit.

“Tash ka mbet në kompetencë të ushtruesit sepse ka pas afat edhe pak, dhe unë nuk e di tash çka ka me vendos. Lëndën e kemi tërhjekë prej tij ashtu siç kemi premtuar. Nuk dihet se çfarë masash disiplinore do t’i ndërmarrin, por është në dorë të ushtruesit tash nëse do ta dërgojë në komision”, ka thënë ish Kryeprokuri i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka.

Por, krejt ndryshe thotë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Kujtim Munishi.

Ai i ka thënë Gazetës Express se Maqedonci është dërguar në Komision Disiplinor në kohën sa Beka ka qenë kryeprokuror. Ai ka thënë që për detaje rreth këtij rasti t’i dërgohen pyetjet në email, por gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje.

“Po është dërgu. Është dërgu nga ish-kryeprokurori Imer Beka. Me të tregu drejt saktësisht nuk muj se mos po gaboj me data. Sepse unë detyrën e ushtruesit e kam marrë dje zyrtarisht, edhe mundem me gabu me datë. Por, ju mundeni me na dërgu email, edhe ta kthej me datë”, ka thënë Munishi për Express.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me vetë Prokurorin Maqedonci që të marrë informacione nëse është dërguar në Komisioni Disiplinor lidhur me deklaratat e tij, por ai nuk ka dashur që ta komentojë këtrë rast.

Ka thënë vetëm se është në pushim, dhe se nuk ka informacione. Ndërkohë, kur është pyetur nëse i ka rënë pishman për deklaratat e tij, ai e ka ndalur telefonin.

“Unë qe një javë jam në pushim. Nuk e di a më kanë dërgu. Ju përshëndes”, ka thënë Maqedonci duke e ndalur telefonin.

Ndërkohë, të alarmuar nga deklaratat e Maqedoncit para disa ditësh kishin reaguar dhjetëra organizata nga shoqëria civile.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave, i kishin konsideruar shqetësuese deklaratat e prokurorit Maqedonci. Në këtë reagim shoqëria civile kishte kërkuar edhe shkarkimin e prokurorit Maqedonci.

“Ne përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojmë shkarkimin e këtij prokurori nga rasti në fjalë për arsye të anshmërisë me palën e akuzuar dhe trajtimit jo të denjë të viktimës në fjalë. Paragjykimet e prokurorit në fjalë e privojnë nga kërkimi i drejtësisë secilën viktimë të ngacmimit seksual ndërsa inkurajon ngacmuesit e tjerë potencial, të vazhdojnë me ngacmimet e tyre”, thuhej në reagim.