E-maili intern: Nuk do të ketë paga për punëtorët e Postës derisa të mos ndërhyjë Qeveria

E publikuar: 05/07/2018 16:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punëtorët e Postës nesër do të mbajnë grevë një orëshe ku sipas njoftimit nga sindikata e këtyre punëtoreve gjatë kësaj kohe do të mbyllen të gjitha zyrat postare në Kosovë. Greva do të mbahet prej orës 13:00 deri në orën 14:00.
Menaxhmenti i Postës u ka dërguar emaile punëtorëve të saj ku u sqaron për mos daljen e pagave për shkak të problemeve financiare.

Lajmi.net ka siguruar emailin ku thotë se pagat për punëtorët nuk do të dalin deri sa Qeveria dhe Telekomi të kryejnë problemet financiare ndaj tyre, transmeton Lajmi.net.

“Edhe pse sot është data 05.07.2018 dhe është dashur që të ekzekutohen pagat për të gjithë juve, jemi të obliguar të ju njoftojmë se për shkak te mos ekzekutimit të pagesës së qirasë nga Telekomi i Kosovës si dhe mos kryerja e pagesave nga shitja e produkteve të tyre e kemi pasur të pamundshme që të bëjmë ekzekutimin e pagave me kohë”, thuhet emailin e dërguan ndaj njërit nga punëtorët e postës.

Borxhi që aktualisht Telekomi ka ndaj Postës së Kosovës është 862,928.09 euro, gjë që ka krijuar vonesa në ekzekutimin e pagave.

“Ne kemi bërë edhe paralajmërime publike që mos mbulimi i Shërbimit Universal Postar nga Qeveria do ta sjell ndërmarrjen në vështirësi financiare, deri tek pamundësia e ekzekutimit të pagave. Deri më tani, borxhi që Qeveria ka ndaj ndërmarrjes është rreth 5 milionë euro”, thuhet më pas aty.

Kujtojmë, se Qeveria dhe Posta e Kosovës vazhdojnë të përplasen rreth ligjshmërisë së kërkesës së parashtruar nga Posta, për ndarjen e mjeteve nga buxheti i Kosovës për mbulimin e humbjeve të kësaj ndërmarrjeje.

Kërkesa e Postës së Kosovës drejtuar Qeverisë, sipas zyrtarëve qeveritarë, nuk ishte ligjore, pasi paraprakisht janë anashkaluar institucionet kompetente për këtë çështje. Ndërkohë, përfaqësuesit e Postës e thonë të kundërtën.

Posta e Kosovës, dikur konsiderohej ndër kompanitë më fitimprurëse në vend. Por, tani ajo ndodhet në një situatë të vështirë financiare. Madje, nga muaji i ardhshëm, thuhet se do të rrezikohen edhe pagat e punëtorëve të saj për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Për këtë arsye, Bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje ka kërkuar nga Qeveria që t’i mbulojë humbjet financiare.

Emaili i menaxhmentit të Postës së Kosovës dërguar punëtorëve thotë:

Të nderuar punonjës e punonjëse të PK Sh.A.,

Edhe pse sot është data 05.07.2018 dhe është dashur që të ekzekutohen pagat për të gjithë juve, jemi të obliguar të ju njoftojmë se për shkak te mos ekzekutimit të pagesës së qirasë nga Telekomi i Kosovës si dhe mos kryerja e pagesave nga shitja e produkteve të tyre e kemi pasur të pamundshme që të bëjmë ekzekutimin e pagave me kohë.

Në bazë të informatave që kemi marr nga Departamenti i Financave, borxhi që aktualisht Telekomi ka ndaj Postës së Kosovës është 862,928.09 euro, prandaj mos pagesa e këtyre obligimeve financiare ka krijuar edhe vonesa në ekzekutimin e pagave.

Ne kemi bërë edhe paralajmërime publike që mos mbulimi i Shërbimit Universal Postar nga Qeveria do ta sjell ndërmarrjen në vështirësi financiare, deri tek pamundësia e ekzekutimit të pagave. Deri më tani, borxhi që Qeveria ka ndaj ndërmarrjes është rreth 5 milionë euro.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës si dhe me Telekomin e Kosovës dhe në momentin që ata të kryejnë obligimet financiare ndaj neve, ne menjëherë do të bëjmë ekzekutimin e pagave për te gjithë punonjësit.

Ju faleminderit për mirëkuptimin!

Me respekt!

Menaxhmenti i Postës së Kosovës

Prishtinë