E la pacientin e aksidentuar në mëshirë të fatit, mjeku ia mbath vrapit

E publikuar: 22/09/2017 21:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Daniel Rrapi, një i ri nga Korça, denoncon në emisionin “STOP” fatkeqësinë që i ka ndodhur për shkak të një aksidenti dhe sorrollatjet që e pasuan në spitalin e Korçës.

Në muajin Qershor të këtij viti, ai është përplasur me motor, e që atëherë është endur sa në një spital në tjetrin. 3 javët e para e ndoqi rastin Vangjush Kostandini, mjek në Korçë, por më pas e adresoi në Tiranë.

Ndërsa Spitali i Traumës në Tiranë e ktheu sërish në Korçë, te mjeku që e ka ndjekur fillimisht. Në spitalin e Korçës e çuan në fizioterapi, por nuk pati asnjë përmirësim. Tanimë Danieli nuk di se ku të shkojë dhe kërkon vetëm të kurohet nga mjeku që e ka ndjekur. Pas ndërhyrjes së emisionit “STOP” tek drejtoresha e spitalit të Korçës, Edlira Bode, Danieli do të rikthehet për t’u mjekuar aty.

“Ky aksident më la sakat, që kam thyer këmbën. Më janë këputur tendinat, çfarë janë ato, damarët dhe më kanë hequr tre herë gjak. Doktor Vangjush Konstandini më ndoqi në spitalin tonë 3 javë. Pastaj më tha: ‘Nuk je për mua, je për Tiranë’. “

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” iu drejtua spitalit të Korçës për t’u ballafaquar me mjekun Vangjush Kostandini.

Mjeku – Nuk është për nivelin tim. Se unë e di që s’është për nivelin tim. Dhe e kam marrë, e kam dërguar andej.

Qytetari – U dërgua pas 3 javësh, bëri 3 javë …

Mjeku – Ore … edhe një herë. Kur e konstatova dje pastaj e çova. Ata (mjekët e Spitalit Ushtarak) prapë … prapë thanë jo. Për mua është po.

Qytetari – Tashi, kjo jo, po …

Mjeku – Tashi … lërmëni rehat tashi! Po punoj tashi!

Qytetari – Ti po punon, ama po thua që nuk është për mua.

Mjeku – Po nuk është për mua pra jo. Po më dëgjo mua tashi!

Danieli vazhdon rrëfimin e sorollatjes së tij nga mjekët, që e drejtonin nga Korça në Tiranë e më pas nga Tirana në Korçë.

“Vajta në Tiranë. Doktori i Tiranës më tha: ‘Ik prap të mjeku që ishe sepse ta ka bërë këmbën keq. Nuk je për mua’. Erdha prapë në Korçë, doktor Vangjushi pastaj më dërgoi te doktor Koçua në fizioterapi.”

Ndaj këtë herë, kamera e fshehtë e emisionit “STOP” iu drejtua fizioterapistit.

Fizioterapisti – Kjo është detyrë e Vangjushit. Vangjushi duhet të vijë edhe të … Por ai nuk ka ardhur. Nuk ka ardhur. Puna e tij pse s’ka ardhur. Ai e di pse nuk ka ardhur. Duhet të vinte ai këtu! Është puna e tij të vinte këtu …”

Por Danieli Rrapi, i lodhur nga kjo gjendje, kërkon vetëm që mjeku i tij, Vangjush Kostandini, ta çojë deri në fund punën e tij, përderisa e mori përsipër që në fillim. Ndërsa i ati i tij, Mikel Rrapi kërkon vetëm një zgjidhje për kurimin e të birit, duke e marrë dikush përsipër mjekimin e tij.

Gazetarja e emisionit “STOP” i kërkoi një shpjegim mjekut Konstadini se përse e ka lënë përgjysëm mjekimin e Daniel Rrapit, por ai refuzoi të përgjigjet.

Gazetarja – Doktor, përshëndetje! Doktor Vangjushi …

Mjeku – Nuk jam Vangjushi.

Gazetarja – Përshëndetje! Juve jeni.

Mjeku – Po çfarë ke me mua ti?

Gazetarja – Nuk kam asnjë gjë, thjesht… Thjesht kërkoj informacion pse nuk vazhdoni t’a mjekoni Daniel Rrapin?

Mjeku – Të lutem … të lutem shumë!

Gazetarja – Po mirë, kaq mirë është …

Mjeku – Të lutem! Neve kemi institucion, bisedojmë aty.

Gazetarja – Po! Shumë bukur, hajde bisedojmë në institucion! Ka 3 javë që e ndiqni ju si mjek. Pse javën e katërt ju e sorollasi dhe e çoni në Spitalin Ushtarak? Pse e çoni te Trauma?

Mjeku – Më lër të lutem, mos më pyet… mos më ngacmo! Mos më ngatërro se e kam ndjekur. Të lutem!

Gazetarja – Po e ke ndjekur pra, por çfarë do t’i bëjmë… sepse gjendja e tij është shumë alarmante. Është shëruar djali? Të lutem, më kthe një përgjigje profesionale!

Mjeku – Po nuk bëhen profesionet në rrugë, moj motër …

Gazetarja – Po, të lutem!

Edhe pse gazetarja kërkoi shpesh herë shpjegim nga mjeku, ai preferoi të largohej, duke vrapuar. Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” u detyrua t’i drejtohej Drejtorisë së Spitalit Rajonal të Korçës për të mësuar nëse drejtoresha është në dijeni të kësaj çështje. Por ajo nuk preferoi të prenoncohej për mediat.

Gazetarja – Tani çfarë zgjidhjeje do t’i jepet djalit?

Drejtoresha – Po nuk ta them ty moj, edhe ta kem gjetur zgjidhjen. Çfarëdo që të nxjerr unë nga goja do keqinterpretohet. Në publik do thuhet: “Këta (STOP -i) duan t’i shpëtojnë ëëë … po ata (mjekët) s’e mbajnë sepse ato s’i paguajnë. E për çfarë, që ne themi një gjë, interpretimi publik bëhet: “E mo po ata, ngaqë duan lekë, prandaj s’e mbajnë të shtruar.

Gazetarja – Do t’i bëj një telefon edhe babait.

Drejtoresha – Jo moj, jo!

Gazetarja – Jo, të lutem! Të lutem, të lutem … !

Drejtoresha – Do marrësh tjetër informacion me babain tani, po i bëre telefonat …

Gazetarja – Jo, jo …

Përshëndetje! Si kalove? Të lutem, për çfarë na thirre këtu? Si ishte problemi fillestar, të lutem?

Drejtoresha – Je duke regjistruar ti vajzë?

Gazetarja – Jo, nuk jam … jam këtu. Të lutem, më thuaj pak, si qëndron problemi?

Babai – STOP-in e solla sepse djalin po ma sorollasin.

Gazetarja – Kush po e sorollat?

Babai – Doktor Vangjushi.

Gazetarja – Çfarë të ka thënë doktor Vangjushi?

Babai – Doktor Vangjushi ka thënë që unë s’e marr përsipër tani. Është për Tiranë.

Gazetarja – Dakord! Po në Tiranë vajte?

Babai – Në Tiranë më thanë që ai doktor që e ka parë në Korçë, ai duhet ta shikojë!

Gazetarja – M’u përgjigj edhe pyetjes së fundit. Dje ju kanë përzënë nga spitali?

Babai – Po!

Gazetarja – Dakord! Kaq kisha, mirupafshim! Nuk e dinte këtë telefonatë!

Mikeli, i ati i Danielit, tregon se në takimin që pati me drejtoreshën, ajo ishte shumë e acaruar me mjekun Kostandini dhe se u vendos i gjithë spitali në lëvizje.

“Falë emisionit “STOP” djali do të qëndrojë këtu në Korçë.”