E goditi me boks të hekurit, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit nga Prizreni

E publikuar: 10/02/2021 16:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit V.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: lëndimi i rëndë trupor.

“Gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 08.02.2021 deri me datën 09.03.2021.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit V.H., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Më datë 08 shkurt, me mjet të rrezikshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore dhe duke vepruar edhe me tre persona tjerë, i shkaktojnë lëndim të rëndë trupor të dëmtuarin – i pandehur R.K., në atë mënyrë që i afrohen të dëmtuarit dhe në një moment i pandehuri V.H., e godet me boks hekuri, së cilës më i bashkëngjiten edhe 3 persona tjerë me shkop bejsbolli dhe që të gjithë duke e goditur në pjesë të ndyshme të trupit, i shkaktojnë lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit (i pandehur) R.K.,”, thuhet në njoftimin për media.

Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje sa po kanë filluar, do të merret në pyetje i pandehuri, dhe dëshmitarët tjerë eventual, në rrjedhën e mëtejmë do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale, gjithashtu duke marrë parasysh raportet e acaruara ndërmjet të pandehurve për shkak të një konflikti të mëhershëm si dhe të këtij rasti, vendosmërinë e të pandehurit për të kryer këtë vepër penale ku shihet nga video incizimi se të njëjtit në bashkëveprim pasi që janë marrë vesh e kanë kryer këtë vepër penale.

“Gjykata, duke vendosur lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit i morri parasysh edhe masat tjera alternative, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret kjo masë është më oportune dhe më e arsyeshme duke marr parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi”, thuhet në njoftim.