E enjtja e përgjakshme në Gjilan: Kamioni mori gjithçka para vetes, mbyti një person dhe i lëndoi mbi 20 të tjerë

E publikuar: 07/03/2019 18:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dita e sotme ka tronditur qytetarët e Gjilanit dhe krejt Kosovës. Një aksident trafiku, i cili ka ndodhur me gjasë si pasojë e prishjes së frenave të një kamioni transportues, ka lënë të vdekur në vend një person, ndërkaq të lënduar kanë mbetur dhjetëra të tjerë. Përmasa e aksidentit ka mundur të jetë edhe më e madhe, pasi aty ndodhet edhe shkolla. Gazeta Express ju sjell në detaje krejt çka ndodhi gjatë ditës së sotme në Gjilan.

Në qytetin e Gjilanit sot është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Kjo pasi në mesditën e sotme ky qytet u trondit nga aksidenti, i cili u shkaktua nga një kamion transportues. Dhjetëra qytetarë mbetën të lënduar nga ky aksident, ndërkaq një nga ta nuk mundi t’u bënte ballë plagëve të marra si pasojë e të cilave ndërroi jetë.

E ky aksident ka mundur të sjellë pasoja edhe më të mëdha, pasi afër vendit ku ndodhi, gjendet shkolla dhe qendra e qytetit, ku ka lëvizje të madhe të qytetarëve.

Qerim Çoçaj nga Hasi i Prizrenit, i cili punonte si furrtar në Gjilan, mbeti i vdekur në vend, nga ky aksident. Vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët e tij për Express, e më pas edhe Spitali Rajonal i Gjilanit.

Qytetarët të cilët janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, kanë thënë për T7 se kane qenë të rrezikuar në momentin e aksidentit.

“Kemi qenë në furrë thash te marr një bukë, unë tu dalë te dera i pash kerret tu dalë poshtë, momentin që ka ardhë një kombi u afru te rruga, tu u largu më ka rrok në kamë. Ai (viktima) ka qenë para meje e ka pa krejt, ma shumë nuk di se ka qenë shumë shpejt”, ka thënë një nga të lënduarit, duke përfunduar se është i lumtur që ka shpëtuar i gjallë.

E një tjetër person i lënduar është pronari i traktorit që shihet në fotografitë e aksidentit. Sipas tij ka qenë pikërisht traktori i tij, i cili e ka ndalë kamionin, në të kundërtën ai do të shkonte drejt lokaleve ku shumë njerëz ishin duke pirë kafe.

“Sot kam lind për së dyti. As dy sekonda skam pas kohë me mëndu kah me shku, a me shku në të majtë, a në të djathtë. Mos me u pas kanë traktori jem, kishte me shku kamioni drejt e tek njerëzit që ishin duke pi kafe, ata njerëz që janë kanë në kafe kanë shpëtua shkaku i traktorit tem”, ka thënë ai,

Qytetarë të shumtë të tronditur nga aksidenti i shkaktuar nga kamioni që bartte ujë, kanë dërguar gjatë ditës fotografi dhe video në redaksinë e Gazetës Express, në mesin e të cilave është një ku shihet se si ka ndodhur aksidenti.

Kamioni transportues ishte në shpejtësi të madhe, e si pasojë e prishjes së frenave, ai ka goditur gjithçka para vetes, duke shkaktuar aksident zinxhiror dhe shumë dëme në qytet.

Nga goditjet e kamionit kanë mbetur të lënduar mbi 20 persona dhe janë shkatërruar mbi 10 vetura. Disa personat e lënduar po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e disa të tjerë të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore janë dërguar QKUK.

Policia, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po qëndrojnë akoma aty, për të zbardhur të gjitha rrethanat të cilat kanë çuar deri tek ky aksident tragjik. Policia dhe zjarrfikësit kanë prerë veturat e aksidentuara, për të nxjerrë personat e lënduar.

Ndërkaq policia ka bërë të ditur për Express, se ishte vetë shoferi i kamionit ai i cili e telefonoi policinë në kohën kur po ndodhte aksidenti.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka urdhëruar policinë që drejtuesi i kamionit transportues, M.A., nga Peja, dhe shoqëruesi i tij të dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Pas aksidentit i cili tronditi Gjilanin, ka reaguar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai ka mbajtur konferencë për media dhe ka treguar se ka aktivizuar menjëherë mekanizmat emergjentë, duke përfshirë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe në bashkëpunim me policinë, prokurorinë dhe organet tjera, po e menaxhon këtë situatë të rëndë.

Ndërkaq Haziri ka konfirmuar se ka anuluar çdo lloj aktiviteti sa i përket shënimit të 7 Marsit në shenjë solidariteti.

E për këtë aksident të rëndë, kanë reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Thaçi ka shkruar se aksidenti tragjik në Gjilan është ngjarje e hidhur e ditës së sotme, ndërsa kërkon që të shtohen masat e pasigurisë.

“Aksidenti tragjik në Gjilan, ku humbi jetën një qytetar dhe u lënduan shumë të tjerë është ngjarje shumë e hidhur e ditës së sotme. Familjes së të ndjerit i shprehim ngushëllime të thella. Të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë”, thuhet në postimin e Thaçit.

Haradinaj ka shkruar se është i tronditur nga ky aksident dhe ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet për ta hetuar rastin.

“Thellësisht i tronditur nga tragjedia e sotme në qendër të Gjilanit, ku humbi jetën një person dhe 20 të tjerë u lënduan. U bëj thirrje organeve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për të parandaluar që rastet e tilla të ndodhin në të ardhmen”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq ambasadori O’Connell ka shkruar se bashkëndjen me të gjithë ata që janë prekur nga ky aksident.

“Bashkëndjej për të gjithë ata që janë prekur nga ngjarja tragjike në Gjilan sot, veçanërisht me viktimat dhe familjet e tyre”, ka shkruar O’Connell.

E gjendje gatishmërie për të ndihmuar qytetarët e Gjilanit, ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ngushëllime familjarëve dhe shërim të shpejtë për të lënduarit. Qëndrojmë në gatishmëri për çdo gjë që duhet ndihmuar”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Gazeta Express ka raportuar sot gjatë ditës për aksidentin, ndërkaq do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për gjendjen shëndetësore të të lënduarve të cilët po trajtohen në Gjilan dhe Prishtinë./GazetaExpress/