E dhimbshme: Presidenti dikur kënaqej me mësuesit e Endritit, që i dorëzoi më vonë (Foto)

E publikuar: 02/04/2018 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjashtë shtetas turq, pesë prej tyre mësues e drejtues institucionesh arsimore në Kosovë, u arrestuan të enjten, për t’u dëbuar më pas në Turqi – ku ata akuzohen për gjoja terrorizëm.

Për arrestimin dhe dëbimin e Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, krerët e vendit thanë se s’kanë qenë aspak të informuar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi; kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj; dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, reaguan pas arrestimit të turqve, duke thënë se s’kanë qenë në dijeni për aksionin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Policisë së Kosovës.

Por, më vonë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zbuloi se në të vërtetë Thaçi ka qenë i mirinformuar për arrestimin dhe dëbimin e turqve.

Erdogan e falënderoi Thaçin që ia dorëzoi turqit, të cilët ai i akuzon si pjesëtarë të lëvizjes së Fethullah Gylenit, që konsiderohet terroriste në Turqi.

Me shumë prej turqve të dëbuar, presidenti Thaçi dikur kënaqej. Bile, ai ka publikuar një fotografi, në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Instagram, në vitin 2014, ku shihet në shoqërinë e mësuesve të të birit të tij, Endritit.

“Pas një dite të gjatë pune, sot pasdite mora pjesë në mbledhjen e prindërve me arsimtarët në shkollën e Endritit. U kënaqa, por nuk po hyj në detaje për komentet e marra nga mësuesit. #Kosova, #shkollat, #arsimi”, ka shkruar Thaçi në legjendën e fotografisë, në të cilën, mes pjesëmarrësve, duket edhe i dëbuari  nga Kosova ditë më parë, Mustafa Erden. /Express/