E dashura e pilotit të Germanwings: “më kërcënonte se një ditë do ta njohin të gjithë!”

E publikuar: 28/03/2015 10:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumë pjesë nga jeta e zbardhur e pilotit të cilësuar si fajtor për rrëzimin e avionit të ‘Germanwings’, tregojnë se 28-vjeçari kishte luhatje të mëdha sjelljeje dhe humori. E përditshmja më e madhe  gjermane “Bild Zeitung” ka sjellur sot edhe rrëfimin e ish të dashurës së Andreas Lubitz në të cilin ajo thotë se ai gjithnjë i kishte thënë se një “ditë të gjithë do të flasin për mua!”.  26 vjeçarja Maria W. kishte qenë në lidhje me pilotin dhe kishin punuar së bashku në Germanwings- ajo si stjujardesë kurse ai si pilot, transmeton Gazeta Blic.

Pokështu është bërë e ditur se vetëm 3 ditë përpara aksidentit tragjik ajror, Lubitz kishte blerë me llogarinë e tij 2 makina të ngjashme, modeli i fundit “Audi”, njërën për vete dhe tjetrën për të dashurën e tij. Por pavarësisht dhuratës, e cila me shumë gjasë do të rikuperonte marrëdhënien, lidhja e tyre sa vinte dhe përkeqësohej.

Çifti kishte edhe një apartament në periferi të qytetit të Dyseldorfit, ku bashkëjetonin pjesërisht, mirëpo kohet e fundit fqinjët bëjnë të ditur se nuk i kishin parë. Megjithatë pronari i një picerie aty pranë banesës së tyre, tregon se ata dukeshin një çift shumë i mirë, të qeshur e të dashur. Djali dukej shumë bujar, sipas tij. Por sa të vërteta janë këto fjalë për Andreas Lubitz?

Një seri tjetër të dhënash tregon se Lubitz po trajtohej prej 2 muajsh në spitalin e Dyseldorfit, pas provave që hetuesit gjetën në shtëpinë e tij. Mjekët kishin hartuar një raport mjekësor ku e kishin cilësuar djalin si të paaftë për të ushtruar profesionin për gjendje jo të mirë mendore, por 28 vjeçari nuk e kishte dorëzuar raportin te kompania ku punonte, ndoshta me frikën se mund të humbte kontratën për arsye mjekësore.

I përshkruar si një njeri, i cili gjatë gjithë jetës kishte ëndërruar që një ditë të bëhej pilot, dhe në momentin që e kishte realizuar ëndrrën, ajo t’i ikte prej duarsh, duket të ketë qenë një fakt i pakapërcyeshëm për Lubitz.

Miqtë e tij rrëfejnë sesi Andreas kishte një obsesion gjatë gjithë jetës për fluturimin, postera kudo në dhomën e tij, madje njëherë ishte shprehur se do të kishte vdekur nëse nuk do të kalonte testin e pilotimit./Gazeta Blic