E bujshme! Rikthehet Carles Puyol?

E publikuar: 04/04/2015 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lajm sensacional nga Spanja. Në jetën e Carles Puyol mund të ketë një kthesë të papritur, që mund të ridimensionojë karrierën e tij futbollistike. Bëhet fjalë për një rikthim të mundshëm të kapitenit legjendar të Barcelonës në fushën e lojës, pas asaj lamtumire mes emocionesh të shumta në fund të sezonit të shkuar.

Puyol është parë këto kohë duke u stërvitur si në ditët e tij më të mira dhe duket se nuk ka asnjë shqetësim nga ai problem në gju, që ishte edhe shkaku kryesor për tërheqjen. Në ditën e lamtumirës, 36-vjeçari shpjegoi se do të përqëndrohej te rikuperimi fizik dhe me sa duket e ka arritur qëllimin.
E përditshmja katalanase “El Mundo Deportivo” hamendëson se kjo stërvitje intensive e Puyol ka si objektiv rikthimin e tij në tapetin e gjelbër, por është ende herët që të flitet për destinacionin e ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Katari, janë këto dy mundësitë e mëdha për një epokë të dytë në karrierën e mbrojtësit. Në kontinentin amerikan, Puyol do të gjente ish shokun e skuadrës te Barça, David Villa, i cili është pjesë e New York City, ndërsa në Katar do të gjente Xavin, gjithmonë nëse ky i fundit do të zyrtarizojë kontratën me Al Sadd.