E-Albania sjell shërbimin e ri elektronik “Vërtetim i periudhës së burgut”

E publikuar: 11/01/2018 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shërbimi elektronik “Vërtetim i periudhës së burgut” u vjen në ndihmë shtetasve që të aplikojnë online për t’u pajisur me vërtetim mbi një dënim që kanë kryer, me datat përkatëse të hyrjes dhe të daljes nga burgu.

Pas dërgimit të aplikimit, specialisti i kartotekës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, bën shqyrtimin e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues, nëse ka. Në rastin kur aplikimi është i rregullt, verifikohet kërkesa e shtetasit në regjistrat fizikë përkatës dhe përpilohet vërtetimi i kërkuar.

Ky vërtetim, i nënshkruar elektronikisht, i bashkëngjitet përgjigjes e cila i dërgohet shtetasit me e-mail, si dhe tek “Dokumentet e mia” në seksionin “Hapësira ime” në e-Albania. Nëse vërtetimi është kërkuar edhe në formatin letër, atëherë aplikanti njoftohet se duhet të paraqitet pranë DPB-së për ta tërhequr atë. Në rastin kur aplikimi nuk është i rregullt, shtetasi njoftohet përsëri nga specialisti i Kartotekës me ane të e-mail për mangësitë e aplikimit.

Dokumentacioni i nevojshëm
– Dokument identifikimi të përdoruesit- kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania)
– Në rastin kur aplikimi për vërtetimin e periudhës së burgut bëhet nga vetë shtetasi, atëherë nuk është i nevojshëm asnjë dokument shtesë
– Në rastin kur aplikimi për vërtetimin e periudhës së burgut nuk bëhet nga vetë shtetasi, i cili ka kryer dënimin, atëherë ngarkohet një dokument që vërteton lidhjen familjare me shtetasin për të cilin kërkohet ky vërtetim

Hapat e procedurës
– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania
– Zgjidhni shërbimin “Vërtetim i periudhës së burgut”
– Plotësoni të dhënat e formularit, duke bashkëngjitur dhe dokumentet plotësuese në rast se kërkohen
– Shtypni butonin “Dërgo”
– Sektori Ligjor dhe i Kartotekës bën shqyrtimin e aplikimit dhe të dokumentacionit përkatës
– Nëse aplikimi pranohet, Sektori Ligjor dhe i Kartotekës përpilon vërtetimin, e nënshkruan në mënyrë elektronike dhe e dërgon automatikisht tek hapësira e aplikantit në e-Albania. Ju do të njoftoheni me një e-mail-it se dokumenti është gati, të cilin dhe mund ta gjeni më pas tek “Dokumentet e mia” në seksionin “Hapësira ime” në llogarinë tuaj në e-Albania
– Në rast se e kërkoni dokumentin në hard-copy, dokumenti printohet dhe ju do të njoftoheni me e-mail se vërtetimi juaj është përgatitur dhe mund ta tërhiqni atë pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë.

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit
10 ditë

Periudha e vlefshmërisë
Pa afat

Kostot
Pa pagesë