Dy vjet për rimëkëmbje ekonomike  

E publikuar: 12/01/2021 17:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në bazë të raportit të fundit të Bankës Botërore lidhur me perspektivat globale ekonomike të publikuar në fillim të vitit, Maqedonisë së Veriut do t’i duhen të paktën dy vjet që të rikuperohet nga kriza e shkaktuar nga pandemia apo që të kthehet në gjendjen që ishte më 2019.

Banka Botërore ka vlerësuar se ekonomia e Maqedonisë së Veriut më 2020 ka shënuar trend negativ sa i përket rritjes së Bruto Produktit Vendor dhe atë prej 5.1 për qind, ndërkaq sipas parashikimeve të këtij institucioni ndërkombëtar, Bruto Prodhimi Vendor më 2021 do të arrijë në 3.6 për qind, ndërkaq vitin e ardhshëm në 3.5 për qind.

Me qëllim që të ketë trend pozitiv të zhvillimit të bizneseve, ndihmat e Qeverisë maqedonase duhet të orientohen drejt digjitalizimit të bizneseve, thotë Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

“Ne si Odë Ekonomike vlerësojmë se përpos pakove ekonomike që qeveria i ka krijuar në përkrahje të sektorit privat, bizneset tani do të duhet të ndihmohen edhe në mënyra të tjera, siç është përkrahja financiare për ngritjen e kapaciteteve teknologjike, ku si rrjedhojë e së cilave, kompanitë do të bëhen më konkurruese në nivel vendor, rajonal dhe më gjerë”, thotë ai.

Zeqiri shton se vetëm përmes realizimit të investimeve kapitale në mbi 85 për qind, mund të shpresohet në një kthesë pozitive për sa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë.

“Realizmi maksimal në normë prej mbi 85 për qind i investimeve kapitale do të sillte një zhvillim të dukshëm të infrastrukturës në vend si dhe stimulimi i eksportit do të duhet të jetë një nga elementet kyçe me qëllim që të rikuperohet ekonomia sa më shpejtë. Vlerësojmë se çdo vonesë mund të sjellë dëme për ekonominë, përkatësisht për bizneset e vendit, duke na pamundësuar që të jemi prezentë në tregjet e huaja”, thotë Zeqiri.

Ndërkaq afaristi Mirçe Çekrexhi, i cili më herët ka qenë kryetar i Lidhjeve të Odave, thotë se prodhimtaria është në korrelacion të drejtpërdrejtë me luftën ndaj koronavirusit.

Çekrexhi thotë se është e rëndësishme që popullata të vaksinohet kundër koronavirusit sa më shpejt, në mënyrë që të hiqen masat kufizuese ndaj bizneseve.

“Përmes vaksinimit masiv apo mënyrave të tjera, mund të themi se mund të çlirohet edhe ekonomia sepse shkaktare e drejtpërdrejt e krizës ekonomike është sëmundja COVID-19. Në momentin që do të frenohet epidemia, dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur, në po atë moment do të fillojë të shërohet dhe ekonomia”, thotë Çekrexhi.

Në bazë të parashikimeve të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, ekonomia e vendit pritet që më 2022 të kthehet në gjendjen që ishte para fillimit të krizës së koronavirusit. Ky institucion shtetëror tha se më 2020, Bruto Prodhimi Vendor ka pasur trend negativ prej 4.9 për qind.

Autoritetet maqedonase thonë se nëse nuk do të ketë valë të re të koronavirusit gjatë këtij viti, Maqedonia e Veriut do të shënojë rritje të Bruto Prodhimit Vendor prej 4.1 për qind dhe se ekonomia do të kthehet në gjendjen që ishte para pandemisë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.