Dy seanca, përmbledhje nga diskutimet dhe vendimet e Kuvendit

E publikuar: 16/10/2020 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sërish sot për dy seanca të ndryshme që zgjatën gjatë gjithë ditës. Fillimisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka vazhduar punimet me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Në mungesë kuorumi, as në këtë seancë nuk ka pasur vendimmarrje për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së; për propozim-rezolutën nga raportimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi; për propozim-rezolutën nga interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës; për Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, si dhe për Projektligjin nr. 07/L-018 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L132 për Automjete.

Për dallim nga seanca e kaluar, kësaj radhe Kuvendi ka miratuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për vitin 2019; raportin vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2019; raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2019, si dhe raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2019.

Ndërkaq, propozim-rezoluta nga interpelanca me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike, nuk është hedhur në votim me kërkesë të deputetit Abelard Tahiri, me arsyetimin se ende nuk kanë arritur t’i harmonizojnë qëndrimet me grupet tjera parlamentare.

Pikat për të cilat nuk pati vendimmarrje, do të hidhen në votim në një nga seancat e radhës së Kuvendit.

Seanca e re, e drejtuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, filloi me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Pas konsumimit të kohës dedikuar këtyre dy pikave, drejtuesja e seancës kaloi radhazi në shqyrtimin e katër projektligjeve: Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë për Kredi ndërmjet Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Kosovës – instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19, Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Projektligjit për Ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Paraqitjen dhe arsyetimin e këtyre projektligjeve para deputetëve e bëri ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, duke kërkuar nga ta që të njëjtit t’i miratojnë.

Pas arsyetimit të projektligjeve, sipas procedurës, folën kryetarët e grupeve parlamentare, të cilët shprehën qëndrimet e grupeve që përfaqësojnë, ndërsa më pas edhe deputetë të tjerë të Kuvendit.

Për mungesë të kuorumit, për të tre projektligjet të lartpërmendura nuk pati vendimmarrje, kurse Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë për Kredi ndërmjet Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Kosovës – instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19, u miratua.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, mori fjalën dhe tërhoqi vëmendjen e deputetëve dhe të gjitha komisioneve, si dhe stafit të komisioneve, që kur është fjala për ratifikim marrëveshjesh të ndryshme ndërkombëtare me Kosovën do të përdoret termi kushtetues, Republika e Kosovës. Ky vendim, sipas Osmanit është marrë me votim unanim nga të gjithë deputetët e të gjitha subjekteve politike, në legjislaturën e kaluar.

Më pas u shqyrtuan për herë të parë edhe tre projektligje: Projektligji për Peticione, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-058, Ligjin Nr. 04/L-122 si dhe Ligjin Nr. 003/L-073 për Zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 03/L-256.

Arsyetimin e këtyre tre projektligjeve e bëri zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, i cili kërkoi mbështetjen e deputetëve për miratim, por as për këto projektligji nuk pati kuorum të mjaftueshëm.

Ndërkaq Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës, për arsye të volumit, por edhe kohës së domosdoshme për trajtim, nuk u shqyrtua sot.

Më pas seanca vijoi me shqyrtimin e Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2019, i cili, pas diskutimeve nga ana e deputetëve, u miratua me shumicë votash.

Po ashtu, deputetët emëruan edhe gjashtë anëtarë të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas: Lyra Çela, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë, Jellena Krivçeviq nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, Orhan Devaja nga Ministria e Financave, Admir Salihu nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Beshir Islami nga Gjykata Supreme dhe Nazife Jonuzi nga organizatat joqeveritare.

Me votim të fshehtë, ndërkaq, Kuvendi zgjodhi Granit Musliun, Xhevat Latifin dhe Azra Deshiq, anëtarë Komisionit të Pavarur të Mediave.

Në fund të seancës, me pajtim të kryetarëve të grupeve parlamentare u vendos që Projektligji për Peticione, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-058, Ligjin Nr. 04/L-122, si dhe Ligji Nr. 003/L-073 për Zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 03/L-256, të hidhen sërish në votim të mërkurën, më 21 tetor.