Dy prej të akuzuarve për vjedhje e pranojnë fajësinë

E publikuar: 14/08/2018 19:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjykatën e Gjakovës, dy prej tre të dyshuarve për vjedhje dhe për fshehjen e sendeve të vjedhura e kanë pranuar fajësinë.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë më 1 qershor të vitit të kaluar ndaj tre të dyshuarve Ilki Vokshi, Sali Malluta dhe Januz Malluta.

Sali Malluta, i dyshuar për veprën penale të vjedhjes në vazhdimësi dhe Januz Malluta, i dyshuar për veprën penale të blerjes, pranimin ose fshehjes së sendeve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, sot para Gjykatës pranuan fajësinë për veprat që u ngarkohen.

Të njëjtit shtuan se janë penduar për veprimet e kryera dhe i premtuan Gjykatës që këto vepra penale nuk do të përsëriten, e po ashtu kërkuan nga Gjykata që t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe gjendjen e vështirë ekonomike.

Januz Malluta po akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të blerjes, pranimit ose fshehjes së sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, ashtu që nga i akuzuari Ilki bleu biçikletën prej 20 eurove, pronë e të dëmtuarit Faton Zorra.

Prokuroria, sipas aktakuzës, thotë se Sali Malluta, vodhi biçikletën e të dëmtuarit Bajram Lipoveci dhe të njëjtën e shet për 10 euro, e po ashtu ia vodhi biçikletën edhe të dëmtuarit Faton Zorra. E njëjta biçikletë është gjetur tek i akuzuari Januz dhe është sekuestruar.

I akuzuari Sali Malluta shtoi se gjendet në vuajtje të dënimit për vepra të ngjashme penale dhe nga vuajtja e dënimit është rehabilituar dhe pas vuajtjes së këtij dënimi premtoi që do t’i kthehet jetës normale dhe do të fillojë të punojë dhe të kontribuojë në familje.

Ndërsa i akuzuari Ilki Vokshi deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprat me të cilat ngarkohet, duke thënë se nuk i ka kryer ai.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ilki në maj të vitit 2015, në ish-objektin e fabrikës së “Virxhinis” tani depo e marrë me qira nga këtu i dëmtuari Qazim Berisha, vjedh kabllo elektrike të makinës dhe një karrocë dore, në vlerë prej 3.800 euro, e po ashtu në të njëjtin objekt i dëmton dy trafo dhe vjedh gjashtë shina bakri, duke i shkaktuar dëm edhe KEDS-it në vlerë prej 6.000 euro.

Në aktakuzë thuhet se në korrik të vitit 2015, i akuzuari Vokshi blen një biçikletë nga Sali Malluta prej 10 euro, pronë e Faton Zorrës, e me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën penale të vjedhjes dhe veprën e blerjes, pranimit ose fshehjes së sendeve të përfituara me kryerjen e veprave penale.

Në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm të dëmtuarit Qazim Berisha, Bajram Lipoveci dhe Faton Zorra.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi as prokurori i shtetit Ismet Tofaj, duke shtuar se i njëjti pranim është bërë vullnetarisht dhe se mbështetet në prova që përmban aktakuza.

“Unë tërhiqem nga e drejta e kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe të kundërshtimit ndaj provave në aktakuzë, andaj i propozoj Gjykatës që seancën e radhës të caktojë shqyrtimin gjyqësor”, theksoi i akuzuari Ilki Vokshi.

Gjyqtarja e çështjes Diana Sina me aktvendim e aprovoi propozimin e të akuzuarit Ilki Vokshi, duke caktuar shqyrtimin gjyqësor ndaj tij për muajin shtator.