Dy jetë të shkrira në një ideal!

E publikuar: 14/04/2019 01:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Shemsi Syla

Në 20 vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit Hanumshahe e Tefik Zymberi!

Procesin e përmbushjes së asaj çfarë jemi sot, asesi nuk do të mund ta përshkruaja pa dhënë fokusin që medoemos e meriton gruaja shqiptare. Ky përshkrim, s’ka si të jetë i vërtetë, po nuk u theksua fuqia që nënat, motrat dhe bijat shqipate ia dhanë këtij populli, gjithnjë të përndjekur nga padrejtësia, duke i përballuar krahas burrave të gjitha stuhitë, shpesh duke u vënë edhe në ballë të qëndresës.
Ato ndër shekuj ishtin shëmbëlltyrë e mençurisë, çiltërsisë, bujarisë, dashurisë, moralit, trimërisë dhe sakrificës. Në valët e jetës, ato qëndruan të pamposhtura dhe përkrah barrës së edukimit, u bënë edhe burim frymëzimi për kultivimin e ndjenjës së atdhedashurisë ndër breza.

Që nga Teuta ilire e gjer në ditët e sotme, shumë gra kanë bërë emër në historinë më të ndritshme të kombit. Nuk ka periudhë që nuk lidhet me emrin e gruas shqiptare, duke ecur në vazhdimësi gjer në periudhën e fundit të UÇK-së, kur edhe një herë u pa se gruaja shqiptare ka rol të madh në kthesat vendimtare.

Ndër emra të shumtë, që pasuruan historinë tonë jo vetëm me dije, mund dhe angazhim, por edhe me flijim, është edhe Hanumshahe Abdullahu ”Nushja”, e cila epopesë së UÇK-së i dha edhe një fanar, që shndriti edhe më shumë.

E lindur në një familje atdhetare, e frymëzuar që nga fëmijëria me ideale të larta, shumë shpejt ajo u dallua në mesin e shoqeve të shokëve. Shkollimin e përfundoi me sukses, duke u formuar si personalitet i respektueshëm nga të tjerët. Ngjarjet e mëdha të pranverës së madhe të tetëdhjetëenjëshit e gjejnë në ballë të tyre si studente të Universitetit të Prishtinës. Përgatitja e vazhdueshme dhe kërkimi i rrugëve të lirisë e karakterizojnë në këtë fazë të rëndësishme të historisë sonë. Nga këto ngjarje del edhe më e fortë edhe më e përgatitur. Pavarësisht nga masat e egra dhe çnjerëzore të regjimit jugosllav, ajo për asnjë çast nuk hoqi dorë nga rruga e kultivimit të ndjenjës së lirisë dhe të platformës së arritjes tek ai cak. Me sukses të plotë arrin të kryejë studimet, duke dalë një profesioniste shumë e përgatitur. Me gjithë vuajtjet dhe brengës së madhe për shokët e shoqet e burgosura ajo përballon këtë situatë, edhe pse e injoruar nga pushtetarët e atëhershëm dhe e privuar nga e drejta për punë.
Periudha e ndryshimeve të mëdha në Evropën Lindore u reflektua edhe në Kosovë. Pas këtyre ndryshimeve vërehej një liberalizim i theksuar. Në saje të këtyre ndryshimeve, edhe Nushes i jepet rasti që bashkë me shokun e veprimtarisë dhe bashkëshortin e saj Tefikun, për një kohë të punojnë në arsim. Që të dytë punuan si arsimtarë të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në një shkollë fshati.

Nushja u përfshi në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve, që më shumë se akt humaniteti e pajtimi u shndërrua në kushtrim për bashkimin e popullit dhe përgatitjen e tij për luftë të armatosur kundër pushtuesit. Në kuvende të shumta pajtimi ajo qëndronte në ballë, duke i udhëhequr ato. Duke marrë shembuj nga heroizmi i Shote Galicës, i Norë Kelmendit, i Tringës etj, ajo zbuste zemra të armiqësuara. Martesa me shokun e idealit, Tefikun, një patriot i madh i lëvizjes për çlirimin kombëtar, i ndihmoi edhe më tutje në rrugëtimin drejt lirisë. Tani e kishte edhe një krah të fortë, që i qëndroi besnik gjer në vdekje. Periudha që pasoi ishte tepër e rëndë. Në këtë periudhë, filloi të punojë si drejtoreshë në shkollën fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan.

Nushja u rreshtua hapur në krahun e rezistencës, duke ua bërë të qartë edhe të tjerëve se rruga e lirisë nuk është e shtruar me lule. Atë e karakterizonte guximi intelektual kur ballafaqohej me iluzionistë të mbështjellë nën vellon e një patriotizmi të rrejshëm dhe tejet të rrezikshëm. Ishte e pakompromis kur ballafaqohej me qëndrime antikombëtare.
Me përparimin e lëvizjes për çlirim, veprimet dhe aksionet e UÇK-së Nushes edhe më shumë ia shtonin forcën dhe vullnetin për veprim. Kështu, pa hezitim, angazhohet drejtpërsëdrejti në veprime praktike, duke kërkuar detyra dhe angazhim.

Fillimi i mirëfilltë i organizimit ushtarak në rrethin e Gjilanit, Nushen e gjen ndër të parët. Ajo nga komanda e ZOK-ut merr detyra, të cilat ishin mjaft me përgjegjësi. Shtëpia e saj ishte baza e parë, në të cilën bëheshin takimet më serioze të karakterit ushtarak, ku më vonë u bë baza më e rëndësishme e koordinimit të veprimeve në qytetin e Gjilanit dhe fshatrat e qytetet përreth.

Nushja kishte rol të rëndësishëm në këtë fazë fillestare të organizimit luftarak. Ishte muaji qershor i vitit 1998, kur shkalla e organizimit dhe rrethanat kishin ndryshuar, pra duhej menduar për forma të tjera të veprimit. Nushja shpreh brengosje për shkak të vonesave në përfshirjen edhe të Zonës sonë në organizimin më të shpejtë në luftë të hapur.

Pas burgosjes së Abdullah Tahirit, koordinatorit të parë të organizimit ushtarak në Zonë, rrethanat e veprimit në këto kushte ndryshuan dukshëm. Veprimi në qytet, për organizatorët ishte bërë i pamundshëm. Si hap të parë bërthama e organizimit, mori vendim të largohej nga qyteti.

Nga shtatori 1998, Nushja merr detyrën e përgjegjësit për Zbulim dhe Kundërzbulim. Ajo nuk kufizohet vetëm me këtë punë por rol të rëndësishëm ka edhe në rekrutimin e ushtarëve.

Shtabin e furnizonte me informata të përditshme dhe vizitonte shpesh bazat e Shtabit në Mramor, Marec dhe Zllashë. Zemra i bëhej mal kur shihte uniformat e UÇK-së, pasi që deri atëherë puna ishte mjaft konspirative. Interesim të jashtëzakonshëm Nushja kishte treguar edhe për kushtet e ushtarëve në vija të frontit dhe për këtë ajo kishte organizuar një rrjet të fortë, nëpër kanale të ndryshme, për furnizim me gjëra të shumta materiale dhe financiare, që ndihmonte njësitin për furnizim në sektorin e Logjistikës në rrethin e Gjilanit.

Dita – ditës rekrutoheshin ushtarë të rinj. Fundi i këtij muaji ishte edhe përgatitja e 68 ushtarëve për dërgim në Zonën e Llapit. Nushja me shokë kishin kryer punë të mirë, duke i përgatitur ata. Po në këtë muaj, ishin shpeshtuar edhe lëvizjet e ushtarakëve të lartë nëpër tri qendrat bazë si në Gjilan, Viti dhe Dardanë. Në Gjilan, siç thamë më lart, bazë e qëndrimit ishte shtëpia e Nushes dhe Tefikut, po nga ata bëhej edhe përcjellja dhe sigurimi.

Megjithëkëtë rrezik aq të madhe të kësaj përgjegjësie aq me peshë, Nushja dhe Tefiku, ndiheshin të lumtur dhe mburreshin me punën që bënin.

Se sa ishte përkushtuar në luftën për liri, Nushja nuk e lë pa e shprehur hapur edhe para nënës së saj, duke i thënë në momentet kur ajo po e këshillonte që të ruhej, “Nuk e kam atë fat të flijohem, kjo është brenga më e vogël për mua, nënë”.

Në muajin mars 1999, një pjesë e Shtabit të Zonës vendoset në Malësinë e Zhegocit, kur bëhet rigrupimi i forcave dhe mbulimi i territorit në pikat e caktuara. Me t’u vendosur Shtabi në Zhegoc, Nushja qëndron në shtab, e shoqëruar nga Tefiku. Me zgjerimin e Zonës së kontrollit të UÇK-së dhe me rekrutimin e të rinjve vullnetarë, pas apelit të Shtabit të Përgjithshëm për mobilizim, gjithnjë shtohej edhe mundësia e ndërmarrjes së ndonjë ofansive të armikut kundër forcave të UÇK-së. Për të ditur se në çfarë mase armiku është i tronditur nga zgjerimi i UÇK-së në këto anë, mësojmë nga shënimet dhe informacionet që sjell Nushja, duke bërë të ditur se planet serbe po shkojnë drejt ndërmarrjes së një ofensive kundër forcave të UÇK-së në këtë pjesë dhe vërtet kështu edhe ndodhi më 15 prill 1999, kur pozicioneve të UÇK-së ia mësyn forca të shumta serbe.

Rrethimi i hekurt kishte për qëllim shkatërrimin e bazave kryesore dhe forcave të UÇK-së e të popullatës. Për shkak të rrethanave të krijuara përkundër rrezikut të madh për të depërtuar drejt Gjilanit, Nushja dhe Tefiku me detyrë me 15 prill 1999 në orët e hershme të mëngjesit nisen për të hyrë në qytet. Por, armiku në atë mëngjes, kishte filluar ofansivën, kështu që Nushja, Tefiku dhe dy shoqërues bien në pritë dhe vriten, në krye të detyrës. Ishte urdhri i Shtabit që të jetë lëvizja e fundit në qytet e këtyre dy luftëtarëve me përgjegjësi në Shtabin e ZOK-ut.

Momenti i rënies, për të gjithë luftëtarët, ishte shumë i rëndë. Lufta që u bë atë ditë kishte përmasat e një ballafaqimi proporcionalisht shumë të dallueshëm. Megjithëkëtë jehona e pushkëve të luftëtarëve të lirisë kishte fuqinë që mbulonte këtë pabarazi.

Pushkët e Pajës e të Albanit, të Bardhit, të Hushit, të Bahtirit, të Petritit, Sylës dhe të dhjetëra luftëtarëve të lirisë, ua morën hakun Nushes dhe Tefikut. Zërin për vazhdimin e luftës për liri e ndoqën edhe shokët e tjerë deri në realizimin e amanetit të tyre në luftën e pakompromis, deri në largimin e plotë të ushtrisë, policisë dhe të bandave çetnike serbe nga Kosova.

Rënia e Nushes dhe Tefikut për Shtabin e ZOK-ut ishte humbja më e madhe që kishte përjetuar deri atëherë. Kjo ishte humbje edhe për gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse nga radhët e saj u shkëputën dy luftëtarë, dy organizatorë, dy arsimtarë, dy veprimtarë të hershëm të lëvizjes dhe dy shokë të jetës dhe të idealit, që flijimin e shihnin si lindje të dytë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi luftëtaren e rrallë, shoqen e Xhevës, të Mirvetes, edhe të dhjetëra luftëtareve që ishin bërë simbol i flijimit dhe i qëndresës së gruas dhe vajzave shqiptare. Nushja dhe Tefiku, lirisë së Kosovës dhe tokës së saj, përkujtim i lanë dy lule, dy fëmijë: Diellën dhe Atdheun. Kodra në të cilën prehen trupat e tyre është bërë si Dielli që shpërndan rrezet e ngrohta në atdhe, e ato janë rreze të lirisë.
Gjurmët e sacrificës, që, pa hezituar iu nënshtruan të dy, dhe kontributit që e shpërndanë në çdo sferë jete, s’do të jetë kurrë e mundur të fshihen nga kujtimet tona.
Prandaj, në 20 vjetorin e rënies, do të zbulojmë bustet e tyre në Pasjak dhe Gjilan, të cilët, jo vetëm në përvjetorë, por çdo ditë që e kalojmë duke frymuar të lirë në shtëpitë e vatrat tona, do të na përqojnë simbolikën e tyre të shenjtë.