Dy ish-drejtorët e komunës së Gjilanit dalin para gjyqit

E publikuar: 30/11/2018 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në gjykatën e Gjilanit sot u mbajt shqyrtimi gjyqësor ish-drejtorit komunal të Urbanizmit, Valon Shefkiu dhe ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në komunën e Gjilanit, Naser Korça.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e Prokurorit të shtetit Agron Uka, të pandehurit Valon Shefkiu dhe Naser Korça u deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohen.

Gjatë fjalës hyrëse, Prokurori Uka tha se Prokuroria ka ndërmarrë hetime me qëllim të ndriçimit të fakteve dhe provave për vërtetimin e gjendjes faktike për veprën penale e cila u ngarkohet.

Më tej Uka tha se provat materiale të cilat i janë bashkangjitur aktit akuzues si dhe provat tjera personale e bëjnë të mjaftueshme ngritjen e kësaj akuze.

Përfaqësuesi i komunës së Gjilanit, Arben Mehmeti në fjalën hyrëse të tij tha se e përkrah fjalën hyrëse të prokurorit të shtetit dhe i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Por i akuzuari Naser Korça polemizoi me këtë kontatim të Mehmetit duke thënë se ai “pa e ditë se për çka akuzohemi ne, e mbështeti fjalën hyrëse të Prokurorit”.

Shefkiu e Korça po akuzohen për rastin e mos-rrënimit të disa lokaleve në Gjilan.

“Për disa vendime të cilat nuk janë ekzekutuar, e që në realitet si drejtori kemi bashkëpunim me drejtorinë e shërbimeve publike dhe kemi dalë me i ekzekutu ato vendime dhe se pasi kemi filluar rrënimin e tyre e lokaleve në ndërkohë nga pronarët e kafiterive na është paraqitur një vendim se ekziston një masë e përkohshme për ndalim të ekzekutimit dhe ky veprim na ka ndërprerë rrënimin e objekteve”, tha Shefkiu gjatë seancës.

Më tej mbrojtësi i të akuzuarit Naser Korça, avokati Ilmi Qerimi, tha se mbetet në tërësi pranë kundërshtimit të akuzës të cilën e ka dorëzuar në gjykatë dhe shtoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta argumentojë pafajësinë e të pandehurit.

Ai shtoi se pretendimet e aktakuzës nuk kanë asnjë mbështetje faktike e as ligjore sa i përket të mbrojturit të tij.

Pas përfundimit të fjalës hyrëse, trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët, Zyhdi Haziri kryetar, Islam Thaqi e Menderes Behluli anëtar, njoftuan se seanca e sotme shtyhet pasiqë paraprakisht kanë pranuar një shkresë nga Prokurori Agron Uka që për ditën e sotme është i ngarkuar me gjykime të tjera të cilat i kishte caktuar më parë.

“Prokurori ka njoftuar se për ditën e sotme mund të qëndrojë vetëm deri në prezantimin e fjalës hyrëse të palëve”, njoftoi kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Zyhdi Haziri.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga Prokurori Agron Uka thuhet që Valon Shefkiu, në cilësi të personit zyrtar, që nga nëntori i vitit 2016 e deri në kohën e ngritjes së aktakuzës, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose ka ndihmuar të përfitojë personi tjetër.

Ai, sipas aktakuzës, nuk ka ekzekutuar vendimet lidhur me rrënimin e disa objekteve montuese të cilat gjenden në zonën Qendra (objekti i shtëpisë së mallrave në Gjilan), si dhe lokaleve të tjera të ngritura pa leje në disa pjesë të qytetit si në Lagjen Dardania, që këto hapësira të lirohen.

Ndërsa ish-drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, gjatë periudhës nga nëntori i vitit 2016 në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, ose nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo i ka shkaktuar dëm personit tjetër ose seriozisht i ka shkelur të drejtat e personit tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar të operojë në disa biznese hoteliere në mënyrë të kundërligjshme duke shfrytëzuar hapësirat publike- trotuaret të cilat gjenden para lokaleve hoteliere për zhvillimin e kësaj veprimtarie .

Gjykimi i radhës vazhdon më datë 5 shkurt 2019. /kallxo.com