Dy fjalë rreth kriminelit jugosllav, Fadil Hoxhës

E publikuar: 07/04/2015 19:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

A meriton Fadil Hoxha të ketë nji përmendore në Gjakovë? Kohëve të fundit janë marrë nisma të ndryshme, synimi i të cilave asht të na bindin se Gjakova – gabimisht e quejtun fortesë e komunizmit kosovar – duhet të ketë në qendrën e saj shtatoren e Fadil Hoxhës, që të vuloset nji epokë me emnin e tij. Të vuloset e të madhnohet! Kështu të paktën mendojnë dishepujt e tij të nomenklaturës së djeshme, kryesisht me prejardhje gjakovare e me nji ndjesí përjashtimi të sotëm – shkruan Esat Myftari

Letër e hapur nga Esat Myftari, Tiranë

Propozimi në fjalë, për ngritje të përmendores, asht nji e drejtë elementare demokratike dhe në këtë pikë nuk ka asgja të keqe. Përkundrazi, ai hap shtigje kontaktesh e diskutimesh për nji periudhë historike me shumë randësi për Kosovën. Nga pasqyrimet e deritashme të shtypit del se ka nji farë bigëzimi të opinionit. Por, përgjithësisht fitohet përshtypja për nji-anësi lokale, ndërkohë që shqetësimi asht mbarëkombëtar. Sidoqoftë, përmendja e nji referendumi lidhun me vendimin e ardhshëm tregon se kjo çashtje mundet me marrë edhe udhë formale. Ata që janë pro – nji numër jo i vogël ish anëtarësh të Partisë Komuniste të Kosovës – sigurisht që kanë argumentet e tyne. Le t’i shohim disa prej tyne. Pajazit Nushi, nji eksponent i naltë i regjimit të kaluem, por me ndihmesa të mira për kulturën dhe arsimin shqiptar, ndër të tjera, si meritë të Fadil Hoxhës quen qëndrimin e tij të gjatë prej 56 vjetësh në politikë. Po a mjafton kjo?

Së pari, qëndrimi i gjatë në politikë e në funksione aq të nalta jo vetëm që nuk asht meritë në vetvete, por edhe teoria ma a përciptë e merr si nji shenjë jo të mirë, në mos komprometuese, pse zgjedhja e vazhdueshme në ato poste të privilegjueme kushtëzohet doemos me njimijë e nji kompromise të dyshimta. Natyrisht, ky kriter nuk vlen për regjimet e sprovueme demokratike, ku ka alternime pushtetesh dhe ku aktiviteti politik ka trajta e fusha të shumta ku mund të ushtrohet.

Së dyti, ai ishte politikan i nji populli të shtypun, me status të imponuem si pakicë kombëtare që detyrohet me i zbatue urdhnat e gatshme të qendrës edhe kur ato janë haptas të padrejta, madje këcënuese për qenjen e vet popullit pakicë, siç ndodhte me ne në periudhën e Rankoviqit. Sikurse e pranon edhe vetë F. Hoxha, deri në vitin 1966 ai s’ishte veçse dora e zgjatun e Beogradit. Nga kjo pikëpamje, pra, ai ka veçoritë e nji vasali modern. Dhe kjo periudhë 22 vjeçare përban afro gjysmën “e karierës së tij politike”, ose të meritës për ngritjen e shtatorës së tij si simbol të Gjakovës.

Së treti, në librin e Veton Surroit ai na i lavderon, në kundërshtim me vlerësimin e shqiptarëve, dy kriminelët notorë të shqiptarëve, Aleksandër Rankoviqin e Dushan Mugoshën. Dhe pikërisht për dy pikat ma të dobëta të Kosovës: ekonominë e saj dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi.

Së katërti, në aktivitetin e tij politik nuk shënohet asnji akt i vendosun moral: ai miraton gjithçka, edhe kur Kosovës i ngulet thika. Në Prizren, ndonëse i rrethuem me polici e ushtri, ai e pranon anulimin e Rezolutës së Bujanit si nji akt të vullnetshëm kosovar. Dhe këte mashtrim kaq të pacipë do ta përsërisë edhe në vitin 1971, para forumeve aq autoritative sikurse ishin kryesia e LS të Serbisë dhe LS së Kosovës. Ai thotë fjalë për fjalë: “Ne më 1945 në mënyrë vullnetare ju bashkuem Republikës Federative të Serbisë, në marrëveshje midis popullit të Kosovës dhe popullit të Serbisë… Ne nuk iu imponuem Serbisë, dhe as nuk u përdorë ndonji force që ne këtë ta banim, por në mënyrë vullnetare e në interes të dy popujve…”

Vehap Shita, nji intelektual ky i brezit të luftës, me shumë kredi të pushteti jugosllav, ban lojë tmerrsisht spekulative kur vendos shenjën e barazimit midis shqiptarëve të Kosovës dhe ‘Volksdojçerëve’ të Vojvodinës. E rren mendja se me këtë gjetje do të vë në pah nji farë mesianizmi të shtirun të nji grupi komunistash kosovarë (ku ban pjesë edhe ai vetë), me argumentin se ata na paskan rreshtue me fitimtarët, ndryshe do të na kishin shfarue! (A thue se “partizanët jugosllavë” na kursyen e nuk vranë sa deshën në Kosovë!) Po a ishin shqiptarët e Kosovës këta që na i paraqet Vehapi?

Le t’i lexojmë anglezët e kohës (1944). Grupi i oficerëve anglezë, që kishte shkue në Kosovë për mbledhje faktësh dërgon këto shënime: “…Shumica e shqiptarëve në Kosovë nuk kanë aspak të bajnë me Mareshal Titon dhe janë, në fakt, anmiq të tij; për ta, ai asht thjeshtë nji manifestim tjetër i kërcënimit serbo-malazez, dhe prirja e tij kah Rusia e Komunizmi e bajnë atë nji vegël të asaj që ata e quejnë politikë pansllaviane imperialiste e Rusisë (…) I vetmi kontakt me ta asht Hasan KRYEZIU. Nuk ka dyshim se grupi ma i fuqishëm në Kosovë janë irredentistat të cilët janë antikomunistë të thekun dhe të cilët kanë përkrahës në të gjitha pjesët e klasat, në të gjitha zejet e profesionet të zonës. Irredentistët nuk kanë ndonji parti të tyne, por janë nji grup që simpatizohen prej të gjithëve, përveç komunistëve. Akcionet e vërteta ushtarake mund të vijnë vetëm prej irredentistëve. Ka në Kosovë nji numër zogistësh, kryesisht midis ushtrisë së rregulltë dhe oficerëve rezervë, nji pjesë e mirë e të cilëve janë irredentistë. Por Zogu, përgjithësisht, nuk asht popullor këtu, shkaku se njerëzit këtu e konsiderojnë si nji kandidat të qeverisë jugosllave në këmbim të së cilës do ta linte Kosovën nën dominimin jugosllav…”

Dhe, Kosovës askush nuk i premtoi plebishit: as Tito, as Enveri, as Londra… Jusuf Bajraktari thotë se Fadil Hoxha ‘luftoi shpërnguljen’. Ne pyesim: ku, si, me ç’rezultate? Përkundrazi, frymëzuesin kryesor të atyne krimeve ai dhe Enver Hoxha gjatë kohës reale të ndodhisë nuk e permendin fare. Në periudhën 1953-57, kohë kur vlonte dajaku e gjymtoheshin njerëzit, kohë kur ngarkoheshin vagonat me të dëbuem për në Turqi, ata merreshin me afrimin Jugosllavi-Shqipni.

Të ngresh nji shtatore para së gjithash do me thanë që përmes saj t’i sublimosh disa vlera të nji qyteti, vendi, kulture a kombi ku nuk durohen njollat e mëdha. Kurse jeta e Fadil Hoxhës ka disa sosh:

1.Krimi në fshatin Hereq: Fadili këtu mori rolin e pushkatarit të atyne burrave patriotë, krimi i vetëm i të cilëve ishte refuzimi i robnisë së re serbe. Edhe majori Simcox, i tmeruem prej këtij arbitrariteti mizor, i pati shkrue personalisht: “Mora lajmin se jeni në afërsi dhe doni të sulmoni Shtabin e Kryezive. Po merrni përgjegjësi të madhe si shqiptar me e sulmue nji mision aleat… Nëse ju, apo ndonjë tjetër, e merrni këtë vendim ndaj Shtabit të Forcave të Gani Kryeziut, emni juej do t’i dërgohet Shtabit kryesor të aleatëve në Londër, ku do të hyni në botën e kriminelëve të luftës (emni juej do të përhapet në botë dhe bota do ta dijë se ju jeni nji tradhtar)”. Por treshja kriminale: Fadil Hoxha, Shefqet Peçi e Pavle Joviçeviç që gjatë luftës, bashkë me shokët e tyne ishin mbajtë gjallë në saje të ndihmave të Anglisë aleate, tash, që mbi shqiptarët po i merrte frenat në dorë aleanca sllavo-ortodokse, jo vetëm nuk u bindën, por më 20 shtator 1944, në Malësi të Gjakovës, pushkatuen pa ngurim 22 kombëtaristët kosovarë.
2.Lufta në Drenicë: Sulmi kundër Shaban Polluzhës ishte luftë kundër Kosovës shqiptare. Kësaj skeme nuk mund t’i shpëtojnë as brigadat shqiptare që erdhën në Kosovë, që morën dorë në Manastarin e Deçanit, që vunë në kapelet e tyne yllin jugosllav dhe që dorëzuen tinës në komandën serbo-malazeze bijtë e Kosovës. Nji pabesi e tillë nuk ishte shënue ndonjiherë në analet e kombit tonë.
3.Krimet në Pejë: Masakra mbas “thymjes” se burgut në kullën-burg të Sheremetit, eliminimi i oficerëve shqiptarë nëpër rrugët e kodrat e Pejës prej kriminelëve serbo-malazezë në kohë paqeje, ishte produkt po i kësaj fryme e license.
4.Masakra e Tivarit: Kjo tragjedi kombëtare, e krahasueshme vetëm me nji Katin, edhe sot e kësaj dite randon mbi ndërgjegjën e çdo shqiptari. Tivari u përgatit në Drenicë, s’do mend. Atje u dorëzue çdo gja shqiptare. E mandej, me bekimin e Fadil Hoxhës dhe të Enver Hoxhës u shtri metastaza e saj mbi rininë kosovare, nëpër luginën e Drinit e deri te grykat e mitralozëve serbo-malazezë në Tivar.
5.Sabotimi i Kosovës-Republikë: Në vitin 1968, kur perspektiva e Kosovës-Republikë po fitonte terren, shqetësimi i Enver Hoxhës ishte veçanarisht i thellë e çoroditës. Ai madje nuk do të nguronte t’i çonte mesazhin ultimativ Fadil Hoxhës: “Mendimin tuaj për të mos pranuar krijimin e një Republike të dytë shqiptare ne e quajmë të drejtë. Ky është qëndrimi i drejtë dhe patriotik. Një qëndrim të kundërt Republika Popullore e Shqipërisë do ta luftojë me të gjitha forcat… ” Kurse Fadil Hoxha, nga ana e tij, mbas goditjes së pabesë që i dha trimit Rezak Shala, do t’i raportonte me mburrje Enverit: “Këtë situatë ne e kaluem me sukses, sepse në këtë rast patëm edhe ndihmën e RP të Shqipërisë. Heshtja e Shqipërisë qe një ndihmë e madhe për ne e sidomos për ne kuadrot kosovare. Përsa i përket përpjekjeve të disa kosovarëve që Kosova të shpallesh republikë, unë nuk e kam lejuar që të arrihet në këtë qëllim. Unë koshjencërisht kam punuar që Kosova të mos shpallet Republikë, sepse njoh vetëm një republikë të shqiptarëve dhe ajo është RP e Shqipërisë. Qëllimi i punës sime në këtë drejtim ka qenë dhe mbetet që Kosova të fitojë autonominë e plotë të saj në kuadrin federativ”. (Lik Seiti, raport: “Bisedë me Fadil Hoxhën”
6.Revolta e vitit 1981: Kur u pa se kërkesa për Kosovën republikë po shtypej me gjak e masakra, Fadil Hoxha iu bashkue korit mallkues dhe lëshoi fjalët që dihen kundër demonstruesve të popullit të vet. E pra, ishte nji rast i mirë për ta mbyllë jetën me nji gjest qytetar, ashtu siç bani kolegu i tij ma i ri, Mahmut Bakalli. Por, jo: shpirti i vogël, frikacak dhe egoist i Fadil Hoxhës përsëri ngadhnjeu mbi arsyen e dinjitetin elementar. S’ke çka i ban, ishte e thanë të turpërohej edhe në fund të jetës. Së fundi, ai iku prej kësaj bote pa lanë spjegimet e veta (d.v.) mbi momentet kyçe të Kosovës, në krye të së cilës ishte dhe në saje të së cilës i gëzoi të gjitha privilegjet e regjimit. Këto spjegime me shkrim nuk do të duhej t’ishin çashtje e zgjedhjes së lirë; ato ishte dashtë të jenë nji detyrim kombëtar! Por, me sa duket, Fadil Hoxha e ndjeu veten kaq të përlyem sa që vendosi me i marrë me vete në vorr edhe të fshehtat e veta. Dhe sot, Gjakovës i propozohet ngritja e shtatorës së tij! Asht njisoj si ta glorifikosh sundimin serb të Kosovës!
Shënime për autorin:

Esat Myftari lindi në Pejë më 1940. Ishte gazetar i ‘Rilindjes’ deri më 1963 kur u arratis për Shqipëri. Punoi disa vjet në Shëngjin derisa nuk u arrestua më 1976 duke u dënuar me 10 vite burg. Pas lirimit më 1985 punoi punëtor krahu në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Në zgjedhjet e para të lira në Shqipëri u zgjodh deputet i Partisë Demokratike. Më 1992 emërohët Drejtor i Drejtorisë së Diasporës në MPJ të Shqipërisë. U pensionua si diplomat në shërbimin e jashtëm të vendit. Sot punon përkthyes dhe mësimdhënës në Tiranë. Esat Myftari është kushëri i parë dhe autor i monografisë për Emrush Myftarin, kolonelin e ushtrisë shqiptare dhe pjesëmarrësit në Luftën Qytetare të Spanjës. Emrush Myftari u pushkatua në Pejë nga fundi i vitit 1944 prej bandave partizane, me urdhër të Milladin Popoviqit dhe Fadil Hoxhës.