Dy fjalë për kolegët që mendojnë ndryshe lidhur me idenë tonë 10 ministri/100 institucione

E publikuar: 11/08/2017 21:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Arbi Agalliu

Së pari, më vjen mirë që të tre kolegët reagojnë, pasi shumica e pedagogëve sot janë kthyer veç në pagamarrës e nuk reagojnë për problemet e ndryshme që has përditë shoqëria jonë. Një profesor i mirë duhet të jetë zë i fortë publik në fushën e tij.

Së dyti, ndihem keq pasi shoh se kolegët e kanë keqkuptuar idenë. Ne flasim për produktivitet të administratës, duke u munduar të fusim nocionin e eficiencës në menaxhim dhe nuk merremi absolutisht me rëndësinë e profesioneve të ndryshme (aq më tepër ato që përfaqësojnë kolegët tanë). Këto profesione janë të nderuara dhe të domosdoshme për çdo shtet e aq më tepër në Shqipëri. Në këtë kontekst ne respektojmë absolutisht çdo kontribut që kolegë të nderuar (e jo vetëm) kane dhënë ndër vite. Pra, nuk ka lidhje midis faktit të mirëqeverisjes e mirëmenaxhimit me kontributin e nderuar që është dhënë ndër vite.

POR nga ana tjetër, më vjen përsëri keq kur shoh nëpër rreshtat e këtij artikulli jo pak herë ironi me ne, koleget e tjerë, dhe më tepër si ironi më kujton një kast profesorësh të vjetër që bëhen keq kur shohin kolegë të rinj të shprehen dhe të ecin përpara vetë.

Bëhen keq kur shohin dhe dëgjojnë mendime ndryshe saqë bëjnë gjithë përpjekjet për t’i frenuar dhe për t’i shtypur, duke krijuar të ashtuquajturin “monopol akademik”, që për mendimin tim është një kështjellë prej rëre që po shuhet.

Nuk besoj se ka njeri sot që mendon se shkolla e viteve ‘50-70 apo dhe më pas mund të krahasohet me atë çka të ofron sot arena ndërkombëtare akademike, ku si unë dhe shumë kolegë të mitë kemi qenë pjesë.

Nuk mund të krahasohet dëshira që një i ri ka sot për të studiuar dhe zgjedhur vetë fushën që ai do me para viteve ‘90 kur shumicën e profesioneve t’i përcaktonte partia. Pra, çfarë do studioje dhe ku do studioje të përcaktohej nga kryetari i këshillit të lagjes në bazë të biografisë.

Sot teknologjia e zhvilluar, mundësitë e aksesit të informacionit dhe zhvillimet globale e kanë bërë të pakrahasueshëm shkollimin midis dekadave. Kështu që më vjen keq që hera-herës përmenden në mënyrë ironike gradat e titujt shkencorë.

Nga ana tjetër, do të doja që këta kolegë të reagojnë më tepër (si profesionistë të fushës përkatëse) për masakrimin që po u bëhet pasurive nëntokësore në Shqipëri. Të dalin e denoncojnë problematikat me të cilat përballet çdo ditë nëntoka shqiptare.

Unë mendoj se shumë prej kolegëve tanë vegjetojnë dhe nuk reagojnë pasi frikësohen dhe i kënaqen asaj page që marrin duke ngrohur karriget e institucioneve arsimore apo kërkimore. Gjithashtu, unë mendoj se qendrat e kërkimit duhet të jenë të atashuara pranë universiteteve.

Si përfundim, mund të them se ne nuk jemi ekspertë të kësaj fushe sikurse kolegët, por kemi guxuar të hedhim një ide për të përmirësuar jetën e shoqërisë sonë. Nëse ka mendime ndryshe jemi të hapur për bashkëpunim, për ta përmirësuar idenë tonë dhe kjo të jetë ide e përbashkët që t’i vijë në ndihmë shoqërisë sot. Nuk jemi për të krahasuar gradat dhe titujt. Për vlerën e tyre sot është tregu i lirë, ky treg që shumë kolegë i tremben e nuk e duan.