Dy ditë nga 1 Prilli, “cic-mice” koalicioni mes PS-LSI-PDIU (Video)

E publikuar: 30/03/2017 22:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse koalicioni do të ishte në dorë të Saimir Tahirit dhe Luan Ramës, sigurisht Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ishin bashkë. Dy ish-ministrat e Brendshëm kanë vazhduar replikat e ashpra në distancë. Kësaj radhe, shkak i përplasjes janë zgjedhjet e pjesshme në Kavajë.

Atë që deklaroi të mërkurën, Luan Rama e forcoi edhe të enjten

.

“Ne nuk mbështesim asnjë kandidat që vjen nga zgjedhje farsë”, tha Luan Rama.

Por nga larg, Saimir Tahiri nuk është dakord.

“Sipas LSI-së ne duhet të anulojmë zgjedhjet në Kavajë, meqë nuk bëhen në çadër? Duhet të deklarojmë edhe ne, Partia Socialiste, mospjesëmarrjen, meqë edhe LSI mendon si PD? Apo mos duhet të ndihemi ne fajtorë për ‘farsën’ imagjinare të pjesëmarrjes, ndërkohë që farsa reale është mospjesëmarrja? Kështu nuk shkon, sepse jo vetëm nuk vriten dy zogj me një gur në këtë rast, por po sulmohet PS-ja duke i shkelur syrin PD-së! Nejse, ne u mësuam me këtë standard të çuditshëm, ku një partner në koalicion punon si qeveri dhe polemizon si opozitë”, tha Saimir Tahiri.

Por në këtë pikë Luan Rama sqaron Tahirin, së paku deri më 1 prill…

“Sot jemi 30 mars dhe jo 1 prill. Ne jemi duke vazhduar koalicionin me shumë përgjegjësi dhe realizëm. Edhe kritikat që ne bëjmë janë padyshim një kontribut qytetar dhe shumë demokratik për ta forcuar koalicionin”, tha Luan Rama.

Por socialistët i kanë bërë tashmë një ftesë zyrtare partisë së Metës. Dhe afati i ftesës po skadon.

“Duhet vetëm një vullnet i shprehur dhe i formalizuar nga aleati ynë LSI, një ftesë që ka javë që është bërë e hapur përpara publikut”, tha zv.kryeministri Peleshi.

Por formula e koalicionit komplikohet me afrimin e PDIU-së. Një prej deputetëve emblematikë të LSI-së, në shtypin e së enjtes e quante këtë një problem, ose një gabim. Si gjithmonë në rastin e “Baba Takut”, LSI-ja ka një version tjetër zyrtar.

“Ai është një qëndrim i vonuar i zotit Braho, tërësisht i tij. Qëndrim nga i cili LSI distancohet”, tha Luan Rama.

Dhe si gjithmonë Spartak Braho në fund reflekton.

“Jam me të njëjtin qëndrim që shprehu edhe Luan Rama”, tha Braho.

Vet kreu i PDIU-së është munduar ta minimizojë lojën me porta të vogla të deputetit të LSI-së.

“Dëgjoni deklaratën e zotit (Luan) Rama”, tha Idrizi.

Por PDIU-ja, kur vjen puna për koalicionin, në publik flet si LSI-ja.

“Javën tjetër do të mbledhim kryesinë e PDIU-së për të mandatuar negociatat me PS-në. A kemi ftesë? Jo nuk e kemi ende”, tha Idrizi.

Një situatë e tillë ka sjellë jo pak acarim brenda PS-së.

“Vendosin strukturat drejtuese të partisë, kështu është ajo shprehja? Atëherë do të vendosin strukturat drejtuese të partisë”, tha Braçe.

Por më i ashpër është Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm, nga kampion i qeverisë është kthyer në kampionin e padurimit të socialistëve ndaj lojërave të aleatëve.

“Edhe sikur vetëm fare, pa asnjë parti tjetër, ne do të hyjmë në zgjedhje dhe do të fitojmë. E nëse të gjithë të tjerët do të çmenden të mendojnë se vlejnë më shumë se populli sovran, do të jemi edhe më shumë krenarë për dallimin tonë me ta”, tha Tahiri.

Tahiri në “Facebook” nuk thoshte nëse dallimi ishte vetëm me PD, apo edhe me LSI-në. Fundja, deri më 1 prill ka ende kohë.