Duma ruse voton për ndalimin e qasjes së Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë

E publikuar: 06/12/2017 16:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë votoi të mërkurën për t’ua ndaluar qasjen gazetarëve nga Zëri i Amerikës dhe Radioja Evropa e Lirë/ Radio Liria.

Vendimi vjen një ditë pasi ministria ruse e drejtësisë shpalli “agjentë të huaj” nëntë media të financuara nga qeveria amerikane, përfshirë Zërin e Amerikës.

Veprimi i së martës i ministrisë ruse të drejtësisë detyron agjencitë amerikane të lajmeve t’i zbatojnë të njejtat kushte që zbatohen ndaj organizatave joqeveritare të financuara nga jashtë sipas një ligji të vitit 2012. Agjencitë e lajmeve, në çdo informacion që ato publikojnë ose transmetojnë për audiencën ruse, do të detyrohen të përmendin statusin e tyre si “agjentë të huaj”.

Atyre u kërkohet të paraqesin raporte të rregullta rreth financimit të tyre, objektivave, mënyrën se si i shpenzojnë paratë dhe emrat e menaxherëve të tyre.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert u tha gazetarëve të martën se masa është “e gabuar” dhe shtoi se Departamenti i Shtetit është i shqetësuar se statusi i ri mund të rezultojë në ngacmime të gazetarëve amerikanë.

Veprimi i Moskës duket se është një kundërpërgjigje ndaj masës së Uashingtonit muajin e kaluar për të detyruar kanalin rus RT, gjithashtu të njohur si Rusia Sot, të financuar nga Kremlini, që të regjistrohet në Shtetet e Bashkuara në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA). Ligji u kërkon njerëzve që veprojnë si agjentë të qeverive të huaja që të zbulojnë publikisht marrëdhënien e tyre.

Javën e kaluar, komisioni i gazetarëve që lëshon letrat kredenciale për qasje në media për të mbuluar Kongresin amerikan, tërhoqi akreditimin për kanalin RT, duke cituar regjistrimin në FARA. Zyrtarët rusë e kanë quajtur legjislacionin e ri, të miratuar të mërkurën, një “përgjigje simetrike” ndaj asaj që ata e përshkruajnë trysni të Shteteve të Bashkuara ndaj medias ruse.

Duke reaguar ndaj masës së Rusisë të martën, drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett tha se Ministria ruse e Drejtësisë ka lënë të kuptohet se përcaktimi i ri do të përfshijë më shumë “kufizime” ndaj punës së Zërit të Amerikës në Rusi.

“Deri më tani, natyra e plotë e këtyre kufizimeve është e panjohur. Ne do t’i shqyrtojmë me kujdes të gjitha komunikimet nga ministria dhe organizata të tjera zyrtare ruse”, tha Bennett. Ajo shtoi se “ne mbetemi njëkohësisht të përkushtuar që të vazhdojmë të jemi një burim i besueshëm dhe me autoritet lajmesh për audiencën tonë rusishtfolëse”.

Përmes platformave dixhitale, televizive dhe radiofonike Zëri i Amerikës transmeton lajme në më shumë se 40 gjuhë në mbarë botën dhe ka një audiencë javore prej më shumë se 236 milionë njerëzish.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë/ Radio Liria, Tom Kent, në reagimin e tij ndaj këtij zhvillimi, u zotua se rrjeti mbetet “i përkushtuar për të vazhduar punën gazetareske, në interes të dhënies së lajmeve të sakta dhe objektive për audiencën rusishtfolëse”.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë transmetojnë lajme në 23 vende, ku liria e shtypit është e ndaluar nga qeveria ose nuk është e konsoliduar plotësisht. Pesë nga bashkëpunëtorët e saj në Rusi japin lajme në Krime, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, Siberi, rajonin verior të Kaukazit me shumicë myslimane, në provincat ruse dhe në Tatarstan, një rajon tjetër me shumicë myslimane. Ajo gjithashtu ka një stacion televiziv në internet dhe një portal lajmesh që kontrollon saktësinë e deklaratave të zyrtarëve rusë.

Në një intervistë për Shërbimin Shqip të Zërit të Amerikës, ligjvënësi Eliot Engel, anëtar i lartë i Komisionit për punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, e quajti masën “qesharake”, por shtoi se, “kjo është tipike për një shtet totalitar me një udhëheqës totalitar”. Ai tha se demokracia dhe liria e fjalës janë “koncepte të huaja” për presidentin rus Vladimir Putin.

Presidenti rus Putin nënshkroi në nëntor një ligj që i jep autritet qeverisë t’i shpallë mediat që financohen nga jashtë si “agjentë të huaj” dhe të vendos sanksione kundër tyre.