Droja e Rusisë: Perëndimi do ta shtyjë Serbinë në NATO

E publikuar: 15/08/2018 00:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia frikohet se pranimi i Perëndimit, i udhëhequr nga SHBA-ja, për ndarje të Kosovës, me të cilën Serbisë do t’i përkisnin veriu dhe manastiret, do të ishte hyrje e Serbisë në NATO, kanë thënë burime jozyrtare diplomatike për gazetën e Beogradit “danas”.

Bashkëbisedues të këtij mediumi, transmeton Koha.net, pohojnë se anëtarësimi i Serbisë në NATO do të ishte tepër i pavolitshëm për skenarin e Moskës marrë para sysh se me siguri se do të ketë ftohje të marrëdhënieve tradicionale me Beogradin dhe se do të ishte humbje e levës së ndikimit të Rusisë në Serbi.

“Ndarja e Kosovës, për të cilën Aleksandar Vuçiq foli publikisht,e për të cilën shumë më parë kishte folur shefi i diplomacisë Ivica Daçiq (e në kohë fundit edhe kryetari i Kosovës Hashim Thaçi), shtron pyetjen se çfarë do t’i kërkonte Perëndimi Beogradit për kompensim. Rusia tash po frikohet se SHBA-ja dhe vendet tjera perëndimore do t’i kërkojnë Serbisë koncesion hyrjen në NATO, përcjell Koha.net. Kjo kërkesë e Perëndimit do t’i vinte në vështirësi zyrtarët serbë, sidomos Vuçiqin i cili do t’i humbiste aleatët në Moskë por edhe zgjedhësit e vet prorusë”, citohet të kenë thënë këto burime.

Këta bashkëbisedues, të cilët mediumi nuk i emërton, kanë theksuar se presin që vendet e Quintit – SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, do ta kenë rolin kryesor për Kosovën, ndërsa Rusia mund ta përdorë ndikimin e vet vetëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.