Drita ia shkakton humbjen e parë sezonale Prishtinës, tani sytë nga derbi ndaj Gjilanit

E publikuar: 23/09/2018 17:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndeshja kryesore e javës në Superligën e Kosovës ishte ajo mes Dritës dhe Prishtinës në Gjilan.

Trajneri nga Shqipëria, Shpëtim Duro, e filloi me fitore aventurën e tij te Drita duke fituar me rezultat 1-0.

Së pari ishte Liridon Leci i Dritës në minutën e 14-të që tentoi të shënojë në portën e Bekajt.  Prishtina iu kundërpërgjigjet me anë të Meriton Korenicës (16’) dhe Gauthier Mankedas (26’).

Ishte Korencia i cili rrëmbeu një top brenda zonës, por ishte traversa ajo që shpëtoi Bakajn. Në vazhdim nuk kishte raste për gol dhe me rezultatin 0-0 përfundoi pjesa e parë.

Basid Khalid i Prishtinës depërtoi bukur brenda zonës dhe goditi shtyllën. Por, këto mos shfrytëzime të rasteve i kushtuan Prishtinës.

Ishte Arbër Shala në minutën e 59-të që u gjend mirë brenda zonës dhe arriti të shënojë golin e vetëm në këtë takim, dhe atë të fitores për Dritës.

Në vazhdim Prishtina tentojë të realizojë gol me anë të Armend Thaçit (62’) dhe Argjend Mustafës (70’), por Bakaj nuk lejoi të tundet rrjeta.

Nga minuta e 80-të Drita mbeti pa një lojtar, pasi Liridon Leci u përjashtua direkt me karton të kur për sjellje josportive ndaj gjyqtarit kryesor Dardan Çaka.

Pas kësaj fitore Drita renditet në vendin e dhjetë me gjashtë pikë, kurse Prishtina në pozitën e katër me 11-të pikë.

Në xhiron e ardhshme Prishtina luan kundër Flamurtarit, ndërsa Drita ndaj Gjilanit. /Telegrafi/