Drita bind, Prishtina ende në kërkim të formës

E publikuar: 21/08/2017 10:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Xhevdet Shabani ka vendosur derbin e xhiros së parë të Vala Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.

Shabani në minutën e 32-të shënoi golin e vetëm në takimin që u zhvillua të dielën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit, për fitoren e ekipit nga Gjilani (1:0), shkruan sot “Koha Ditore”. Prishtina në edicionin e fundit doli nënkampione dhe këtë verë luajti në raundin e parë eliminator të Ligës së Evropës, derisa Drita i shpëtoi rënies në Ligën e Parë nëpërmjet barazhit.

Kjo ishte hera e tretë rresht për ekipin gjilanas që siguron mbetjen në elitë me barazh, por të dielën Drita pati paraqitje krejt më ndryshe. Të dyja këto ekipe së bashku me Trepçën ’89, Ferronikelin e Llapin konsiderohen si favorite për të fituar titullin e kampionit këtë edicion.

Drita së bashku me Prishtinën janë ndër skuadrat më të përforcuara gjatë këtij afati kalimtar të verës. Përderisa Drita ka transferuar 11 futbollistë, Prishtina ka angazhuar tetë lojtarë si Anel Rashkaj, Mentor Mazrekaj e Drashko Bozhoviq, që nuk bënë ndonjë dallim në fushën e lojës..