Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa të bindur në fitore

E publikuar: 25/05/2017 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidatët për deputetë nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi, janë shprehur të bindur se do të fitojnë shumicën në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se lista e koalicionit është e fitores, në të cilën ka profesionistë dhe kandidatë të dëshmuar në fushat që ata punojnë.

Kreu i LDK-së ka thënë se nga lista e kandidatëve për deputetë nuk është përjashtuar askush, por numri ka qenë i kufizuar dhe nuk ka pas mundësi që të përfshihen të gjithë në listë.

Mustafa ka thënë se janë dakorduar me partnerët e koalicionit për një program të fitores, i cili sjell zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës.

Kandidati për kryeministër i koalicionit, Avdullah Hoti, ka thënë se “kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që më është dhënë rasti historik për t’i prirë një ekipi atdhetar, kompetent dhe përfaqësues në fushatën për t’i bindur qytetarët që më 11 qershor të përcaktohen për Koalicionin tonë, sikur në një referendum për të ardhmen e Kosovës sonë”.

Ai ka thënë se partnerëve të koalicionit i janë bashkuar emra të shquar të shoqërisë kosovare, si kurrë më parë, për t’u dhënë qytetarëve të Kosovës qeverisjen që ata meritojnë.

“Të gjithë së bashku ne ofrojmë qeverisjen që u shërben me nder, i trajton me dinjitet dhe që bashkërisht me qytetarët, ndërton të ardhmen e sigurt të atdheut tonë”, ka thënë Hoti.

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri ka thënë se si kurrë më parë në historinë e Kosovës janë bashkuar akademikët dhe njerëzit e sprovuar në biznes për fitoren e sigurt më 11 qershor dhe për qeverisjen në të mirë të qytetarëve.

Ilir Deda nga Alternativa ka thënë se ky është një koalicion i vendosmërisë për ta forcuar shtetin tonë. “Kjo listë e madhe gjithëpërfshirëse e demokratike e Kosovës do të jetë lista që do t’i fitojë zgjedhjet e 11 qershorit. Jam shumë i kënaqur që shumë shpejt jemi dakorduar rreth një programi të matshëm të cilin nuk mund ta kontestojë askush”, ka thënë Deda.

Ai ka shtuar se programi i partnerëve të koalicionit është i vetmi program që mund ta fuqizojë vendin ekonomikisht, ta çrrënjos korrupsionin, krimin e organizuar dhe klientelizimin.

Sylejman Qerkezi nga Lëvizja për Drejtësi ka thënë se kandidatët e këtij koalicioni kanë të gjitha përgatitjet profesionale dhe njerëzore për ta ruajtur dhe zhvilluar shtetin.