Drejtuesi i Sekretariatit për Media në VV: Ambasadorët e Quintit nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë

E publikuar: 28/01/2020 15:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Erzen Vraniqi, Drejtues i Sekretariatit për Media në Vetëvendosje, ka sqaruar se pse janë ftuar ambasadorët e QUINT’it, dhe që kishin pajtim me LDK’në.

Vraniqi, ka shkruar në FB se pas përfundimit të takimit të djeshëm ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, ishin pajtuar që të ftohen edhe ambasadorët e shteteve të Quintit dhe shefja e BE’së në Kosovë.

Ai ka shkruar se ambasadorët ishin të ftuar vetëm si ndihmues dhe jo si ndërmjetësues.

Reagimi në FB :

Si drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim dëshiroj të sqaroj opinionin se:

Në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet LVV dhe LDK, kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quintit si dhe Shefja e Misonit të BE-së në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe në komunikimin me tekst që ka pasur kryetari i LVV Kurti me kryetarin e LDK Mustafa mbrëmë në ora 19:30. Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm. Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë.